
Policia e Korçës ka zbardhur detaje nga operacioni për arrestimin e Kristjan Sterjos, autori i dyshuar i vrasjes së 21-vjeçarit Joan Zuko në Korçë.
Pas disa orësh kërkimesh intensive, të kryera nga shërbimet e DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja e 20-vjeçarit, në lagjen nr. 3, në afërsi të banesës së tij.
“Identifikohet, kapet dhe arrestohet, pas disa orësh kërkimesh nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme në Korçë. Vrau me armë zjarri, kallashnikov, shtetasin J. Z., 21 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, arrestohet shtetasi K. S., 20 vjeç, banues në Korçë.
Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pushkë automatike, e dyshuar se është përdorur në ngjarje. Dje, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka pasur një konflikt për motive të dobëta midis disa shtetasve, i cili është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi J. Z., 21 vjeç. Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas disa orësh kërkimesh intensive, të kryera nga shërbimet e DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja e 20-vjeçarit, në lagjen nr. 3, në afërsi të banesës së tij”.
Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
(A2 Televizion)