
Ministria e Mbrojtjes doli me një njoftim mbi zjarrin në malin e Krujës, ku zbardhi detaje nga operacioni.
Në operacion thuhet se u angazhuan 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Po ashtu bëhet me dije se janë angazhuar 21 mjete zjarrfikëse; 3 helikopterë; droni Bayraktar TB2; 2 dronë me kamera termike të AKMC-së dhe autoambulanca. Fatmirësisht si pasojë e zjarrit nuk pati asnjë jetë të humbur, apo të lënduar, por vetëm dëme materiale.
NJOFTIMI
Vijojnë operacionet për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit në Malin e Krujës
Operacionet për izolimin dhe vënien nën kontroll të zjarrit në Malin e Krujës kanë vijuar me intensitet, me angazhim të pandërprerë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura gjatë gjithë natës.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ndoqi nga afër situatën në terren dhe operacionin, si dhe koordinoi angazhimin e strukturave të Forcave të Armatosura, Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe strukturave të tjera të emergjencave civile.
Në operacion morën pjesë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Në terren dhe nga ajri janë angazhuar:
21 mjete zjarrfikëse;
3 helikopterë;
droni Bayraktar TB2;
2 dronë me kamera termike të AKMC-së;
autoambulanca
Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e dislokuar në zonë për koordinimin dhe monitorimin e operacionit.
Të gjitha strukturat vijojnë operacionin me angazhim maksimal dhe koordinim të plotë, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga toka dhe nga ajri.
Prioriteti i operacionit mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pronës, si dhe vënia nën kontroll e plotë e zjarrit në zonën e Krujës.
(A2 Televizion)