Iraku digjet nga vapa, lufta për të blerë akull dhe çmimet e larta

Nga Erjon Dervishi
7 Gusht 2026, 22:44 | Bota

Një krizë e re ka prekur shtetin e Irakut, ajo është moti i nxehtë. Irakianët përpiqen të vazhdojnë punën dhe të mbrohen nga vapa ndërsa një valë e nxehtë përfshiu vendin, duke rritur kërkesën për akull dhe ujë të ftohtë në shishe, shkruan A2 CNN. Temperaturat u rritën në nivele midis 47 dhe 50 gradë Celsius në pjesën më të madhe të Irakut, veçanërisht në zonat jugore, tha Amer al-Jabri, zëdhënës i Organizatës Meteorologjike dhe Sizmologjike të Irakut.

"Të gjithë po vuajnë nga vapa dhe kërkojnë pak freski... Unë dal që në mëngjes dhe qëndroj deri rreth orës 7 (në mbrëmje), ndonjëherë deri në dhjetë (në darkë), duke shitur vazhdimisht. Fëmijët vijnë dhe blejnë ujë e lëngje tek unë. Bën shumë vapë".

Në shtëpinë e tij në Bagdad, shitësi ambulant Jumaa Kadhim qëndronte ulur me nipërit e tij, duke u freskuar me një erashkë, para se të nisej për të përgatitur pijet e tij të ftohta në shishe. Kadhim tregoi se punonte nga mëngjesi herët deri vonë në mbrëmje, rreth orës 22:00, duke blerë akull sapo ai shkrinte, për t'i mbajtur pijet të ftohta për klientët që ndalonin gjatë trafikut.

“Unë shes ujë këtu. Moti është i nxehtë dhe temperaturat janë të larta, ndaj i mbaj shishet e ujit të ftohta dhe njerëzit blejnë ujë tek unë. E bëj këtë në mesditë, pasdite dhe gjatë natës. Ka gjithashtu kërkesë për akull, sepse moti është shumë i nxehtë – me temperatura që arrijnë 40 ose 50 gradë Celsius – kështu që njerëzit me të ardhura të pakta blejnë akull”, thotë Jumaa Kadhim, shitës ambulant.

Pronari i një fabrike akulli, Hussein Ali, tha se prodhimi rritej paralelisht me temperaturat dhe se secili prej shpërndarësve të tij merrte nga 20 deri në 30 blloqe akulli në ditë, ndonëse ai përballej me vështirësi për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe çmimeve të larta të karburantit. "Për shkak të rritjes së temperaturave, prodhimi ynë shtohet. Furrat e bukës kërkojnë akull dhe ne kemi distributorë; secili prej tyre merr nga 20 deri në 30 blloqe akulli çdo ditë. Kur temperaturat rriten, prodhimi ynë rritet në përputhje me to, ndërkohë që ne përballemi tashmë me mungesa të energjisë elektrike dhe çmime të larta të karburantit”, thotë Ali.

Në qytetin jugor të Basrës, ku temperaturat mund të arrijnë 50 gradë Celsius, banori Kamal Nasser po hidhte ujë mbi kokë pranë një tezge pijesh dhe tha se njerëzit dilnin jashtë këtë muaj vetëm kur ishte e domosdoshme, veçanërisht midis mesditës dhe pasdites së vonë, në atë që vendasit e quajnë sezoni i “pjekjes së hurmave”.

Kjo vapë në Irak erdhi në kuadrin e një trendi më të gjerë global. Në një raport të publikuar në maj, agjencia e OKB-së për motin dhe Zyra Meteorologjike e Britanisë parashikuan se temperaturat mesatare globale do të arrinin nivele rekord ose pranë rekordit gjatë pesë viteve të ardhshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos