Putin nuk do të jetë më i sigurt! I shqetësuar pas miratimit për përdorimin e armëve perëndimore brenda territorit rus

Nga A2 CNN
8 Qershor 2024, 14:20 | Bota

Vladimir Putin është i shqetësuar se miratimi nga Perëndimi i përdorimit të armëve të tyre nga Ukraina brenda territorit rus, mund të tronditë regjimin e tij.

Ish-zv.komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, thotë se objektivi përfundimtar i presidentit rus është ndryshimi i situatës gjeopolitike në Europë, ngjashëm me atë të vitit 1989, ku vendet e Europës Lindore, anëtare të NATO-s, të paktën të jenë neutrale ushtarakisht.

Por planet e tij mund të prishen. “Përdorimi i armëve nga Ukraina, pavarësisht se kush është prodhues i tyre, brenda territorit rus, nuk përbën të cenim të të drejtës ndërkombëtare”, tha Meçollari në Ditarin e fundjavës në A2 CNN.

 

“Thelbi është që goditja brenda territorit rus, do të minojë ose do të bëjë të pamundur mbajtjen e premtimit të presidentit rus, i cili u rizgjodh president duke garantuar sigurinë e popullit rus dhe goditja e infrastrukturës ushtarake që mund të cenojë edhe popullsinë, ndoshta si dëm anësor, krijon probleme sigurie brenda rusisë. Do të ketë efektin e saj edhe në moralin e popullit rus, në mbështetje të Vladimir Putin. Ka mungesë informacioni të theksuar, por e gjithë kjo retorikë e shtuar e Rusisë na jep të kuptojmë që Rusia është shqetësuar për këtë gjë, pasi kjo do të ketë impakt direkt në moralin e ushtrisë e popullit rus. Rusia nuk do të jetë më e sigurt”.

Nga ana tjetër, Meçollari thotë se kjo leje që i është dhënë Ukrainës, është vetëm diçka politike. “Por shtetet e NATO-s nuk mund të veprojnë brenda territorit të Ukrainës, pasi kjo do të thoshte që humb neutralitetin, i japin legjitimitetin Rusisë t’i konsiderojë palë në konflikt. Dhënia e armatimit nuk mjafton”, tha Meçollari.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos