Presidenti rus Vladimir Putin deklaron se Moska nuk po përgatitet për një konflikt ushtarak me Europën, ndërsa akuzon vendet europiane se po përshkallëzojnë tensionet dhe po ndërtojnë, sipas tij, një kërcënim të rremë rus.
Duke folur para gazetarëve në Shën Petersburg, Putin këmbënguli se Rusia nuk ka plane dhe as arsye për të hyrë në luftë me vendet europiane.
“Ne nuk po përgatitemi për asnjë lloj konflikti ushtarak me Europën. Nuk kemi plane të tilla dhe, më e rëndësishmja, nuk kemi asnjë arsye për këtë. Nuk ka motive reale për përshkallëzimin e situatës me Europën.”
Putin u ndal edhe te perspektiva e negociatave me Ukrainën. Sipas tij, Moska kishte qenë e gatshme të rikthente kontaktet me Kievin pas zgjedhjeve parlamentare ruse.
Por presidenti rus tha se sulmet e fundit ukrainase ndaj territorit rus kanë ndikuar në qëndrimin e Moskës dhe se Kremlini tani duhet të vlerësojë se si do të veprojë më tej.
“Të gjitha këto iniciativa për të ashtuquajturin armëpushim dhe propozimet për rifillimin e negociatave janë në tryezë. Gjithçka mbetet e mundur. Por, pas gjithçkaje që kanë bërë, duhet të mendojmë me kujdes se çfarë hapash duhet të ndërmarrim.”
Putin theksoi se çdo vendim për rikthimin në procesin e negociatave do të merret duke u bazuar në atë që Moska e konsideron interes të Federatës Ruse. (A2 Televizion)