Zelensky i kërkon Trumpit të përfshijë Kinën në negociatat për paqen: Duhet ta përdorë ndikimin mbi Moskën

Nga A2 CNN
25 Shtator 2026, 22:49 | Bota

Zelensky i kërkon Trumpit të përfshijë Kinën në

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump që të përfshijë Kinën në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke i kërkuar Pekinit të përdorë ndikimin e tij mbi Moskën.

Gjatë qëndrimit në SHBA, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Zelensky u takua të martën me Trumpin. Presidenti ukrainas tha se i ka kërkuar homologut amerikan të ushtrojë presion ndaj Kinës për të ndikuar te Rusia.

Zelensky deklaroi se ende nuk kishte marrë informacion nga Shtëpia e Bardhë lidhur me rezultatet e bisedës mes Trumpit dhe presidentit kinez Xi Jinping, por tha se pret të njoftohet për përmbajtjen e saj.

Sipas Zelenskyt, Uashingtoni po shqyrton gjithashtu mundësinë e zhvillimit të bisedimeve teknike trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të liderëve të tre vendeve.

Ukraina pret që SHBA-ja të propozojë një datë për këto bisedime, ndërsa zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe si vendtakim.

Në fokus të bisedimeve të Zelenskyt në SHBA kanë qenë edhe sanksionet ndaj Moskës. Presidenti ukrainas i ka kërkuar Trumpit të vërë në fuqi masat e miratuara nga Kongresi amerikan, duke i cilësuar sanksionet si një mjet të rëndësishëm presioni ndaj Rusisë.

“Sanksionet janë me të vërtetë të fuqishme. E gjithë kjo tani është në duart e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ai mund ta përdorë këtë mjet për të ushtruar presion mbi Federatën Ruse”, u shpreh Zelensky. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos