Putini dhe Macroni diskutojnë për Iranin dhe Ukrainën në bisedën e parë pas gati tri vjetësh

Nga A2 CNN
1 Korrik 2025, 22:17 | Bota

Putini dhe Macroni diskutojnë për Iranin dhe Ukrainën në

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e zhvilloi një telefonatë "të rëndësishme" me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për konfliktin Iran-Izrael dhe për Ukrainën, njoftoi Kremlini të martën.

Kjo ishte biseda e parë mes dy liderëve që nga shtatori i vitit 2022.

Në Paris, zyra e Macronit tha se biseda zgjati dy orë dhe se presidenti francez bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë dhe për fillimin e bisedimeve për t'i dhënë fund luftës.

Sipas zyrës së Kremlinit për shtyp, Putini tha se ishte e nevojshme të respektohej e drejta e Iranit për zhvillimin paqësor të energjisë bërthamore, si dhe përmbushja e vazhdueshme e detyrimeve të tij sipas traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Zyra e presidentit francez tha se Macron gjithashtu theksoi nevojën që Irani të bashkëpunojë plotësisht me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

Muajin e kaluar, Parlamenti i Iranit e miratoi një ligj për ta pezulluar bashkëpunimin me IAEA-n, agjencinë bërthamore të OKB-së, pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara bombarduan objektet bërthamore të Iranit, në përpjekje për të mos e lejuar Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.

Irani e ka mohuar se po kërkon zhvillimin e armëve të tilla.

Macron "shprehu vendosmërinë e tij për të kërkuar një zgjidhje diplomatike që do të çonte në një zgjidhje të qëndrueshme dhe të rreptë të çështjes bërthamore, të raketave të Iranit dhe të rolit të tij në rajon", tha zyra e tij, duke shtuar se të dy liderët kishin vendosur të bashkërendojnë përpjekjet e tyre.

Franca dhe Rusia janë të dyja anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sa i përket Ukrainës, Putin ia përsëriti Macronit qëndrimin e tij se lufta është "pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së Perëndimit", që sipas tij, "kishte injoruar interesat e sigurisë së Rusisë" gjatë viteve të fundit.

Çdo marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës duhet të ketë një "karakter gjithëpërfshirës dhe afatgjatë" dhe të bazohet në "realitetet e reja territoriale", citoi Kremlini Putinin të ketë thënë.

Putini më parë ka thënë se Ukraina duhet ta pranojë aneksimin nga Rusia të pjesëve të territorit ukrainas si pjesë e çdo marrëveshjeje për paqe.

Macron ka deklaruar se vetëm Ukraina duhet të vendosë nëse do të pranojë apo jo lëshime territoriale.

Gjatë telefonatës të martën, zyra e Macron tha se "presidenti theksoi mbështetjen e palëkundur të Francës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës".

Zyra e presidentit francez tha se Macroni dhe Putini synojnë të vazhdojnë diskutimet e tyre mbi Ukrainën dhe Iranin.

Macroni dhe Putini kishin diskutime të rregullta në fillim të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, me Macron që e vizitoi Putinin në Rusi në shkurt të vitit 2022, por dialogu mes tyre u ndërpre më pas. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos