Qindra njerëz dyshohet se kanë humbur pasi cikloni më i keq në pothuajse një shekull përshkoi territorin francez të Oqeanit Indian të Mayotte të shtunën, duke shkulur pemë, duke shkatërruar shtëpi dhe duke goditur infrastrukturën e dobët të arkipelagut të varfër.
Ekipet e shpëtimit janë dërguar në ishujt, të cilët shtrihen midis brigjeve të Mozambikut dhe Madagaskarit, por përpjekjet e tyre ka të ngjarë të pengohen nga dëmtimi i aeroporteve dhe shpërndarja e energjisë elektrike në një zonë, ku uji i pastër i pijshëm është subjekt i mungesave kronike.
Duke folur për stacionin televiziv La 1ere të Mayotte të dielën, prefekti i arkipelagut, François-Xavier Bieuville, tha se numri i konfirmuar i 11 të vdekurve ka të ngjarë të rritet gjatë ditëve në vijim.
"Unë mendoj se sigurisht që do të jenë disa qindra, ndoshta do të arrijmë një mijë, madje edhe disa mijëra," tha ai.
Bieuville tha se do të ishte shumë e vështirë për të arritur një numërim përfundimtar duke qenë se shumica e banorëve ishin myslimanë dhe kështu tradicionalisht do t'i varrosnin të vdekurit e tyre brenda 24 orëve.
Përcaktimi i një numri të saktë do të jetë shumë i vështirë duke pasur parasysh se ministria e Brendshme e Francës vlerëson që rreth 100,000 njerëz jetojnë në mënyrë klandestine në Mayotte.
Kryebashkiaku i kryeqytetit Mamoudzou të Mayotte, Ambdilëahedou Soumaila, tha më herët për Agence France-Presse se nëntë persona ishin lënduar rëndë kur cikloni Chido goditi dhe po luftonin për jetën e tyre në spital, ndërsa 246 të tjerë u plagosën rëndë.
“Spitali është goditur, shkollat janë goditur. Shtëpitë janë tërësisht të shkatërruara”, tha ai, duke shtuar se cikloni nuk kishte kursyer asgjë.
Një banor vendas, Ibrahim, i tha AFP-së për "skenat apokaliptike" teksa po kalonte rrugën përmes ishullit kryesor, duke i detyruar të pastronte vetë rrugët e bllokuara.
320,000 banorët e Mayotte ishin urdhëruar të mbylleshin të shtunën pasi Chido u ul në ishuj, duke sjellë erëra të paktën 226 kilometra në orë.
Pamjet e shpërndara nga forcat e xhandarmërisë franceze treguan rrënojat e barrakave të të shpërndara nëpër kodrat e një prej ishujve të Mayotte, të cilat kanë qenë një pikë qendrore për imigracionin e paligjshëm nga Comoros aty pranë.
Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau, do të udhëtonte për në Mayotte sot (të hënën), tha zyra e tij, së bashku me 160 ushtarë dhe zjarrfikës që do t'i bashkohen 110 personelit të vendosur tashmë në ishuj.
Duhen katër ditë udhëtim me anije që të mbërrihet në Mayotte, e gjendur gati 8 mijë kilometra larg Parisit. Mayotte është më e varfër se pjesa tjetër e Francës dhe është përballur prej dekadash me dhunën nga bandat dhe trazirat sociale. (A2 Televizion)