Qindra dronë e raketa mbi Ukrainë, Kievi zhytet në terr. Viktima e të plagosur rreth vendit

Nga Rosalba Bejdo
10 Tetor 2025, 12:57 | Bota

Kryeqyteti ukrainas, Kiev u zhyt në errësirë pasi një valë sulmesh me dronë dhe raketa ruse gjatë natës shkaktoi ndërprerje të energjisë.

9 persona u plagosën pas shënjestrimit të godinave të banimit në Kiev, ndërsa banorët në zonat lindore të qytetit mbetën në terr dhe u përballën me ndërprerje të furnizimeve me ujë, shkruan A2.

Sipas kryebashkiakut Vitali Klitchko, 5 nga të plagosurit ishin dërguar në spital. Ndërkohë, një fëmijë 7-vjeçar u vra në një tjetër sulm me dron në Zaporizhia, në juglindje të vendit. Autoritetet rajonale thanë se qyteti ishte shënjestruar nga bombardime të rënda dhe se ishin shënuar edhe të plagosur.

Moska ka përshkallëzuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike gjatë javëve të fundit, ndërsa Presidenti Zelensky bën thirrje për hapa realë nga aleatët për të ushtruar presion ndaj Rusisë.

"Nevojitet veprim vendimtar nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe G7 në ofrimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe zbatimin e sanksioneve", ishin fjalët e tij.  

Zelensky tha se 450 dronë dhe mbi 30 raketa kishin shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës, ndërsa e cilësoi sulmin si cinik dhe të llogaritur kundër gjithçkaje që garanton jetën normale në prag të dimrit. E gjithë Ukraina është në alarm për sulme me raketa hipersonike Kinzhal, që janë më të vështira për t’u detektuar.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos