Ata që janë përgjegjës për sabotimin e gazsjellësit Nord Stream dyshohet se kanë vepruar me urdhër të Valery Zaluzhny, i cili në atë kohë mbante postin e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Ky fakt është bërë i ditur nga mediat gjermane Die “Welt", duke cituar një hetues gjerman.
Një hetim nga hetuesit gjermanë ka identifikuar të gjithë anëtarët e ekuipazhit të anijes me vela "Andromeda" që besohet se kanë hedhur në erë tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 në shtator 2022. Dyshohet se organizatori kryesor i sabotimit të tubacionit ishte një ish-oficer në ushtrinë ukrainase, Serhiy K., i cili u arrestua në Itali, shkruan A2 CNN.
Avokati Nicola Canestrini, i cili përfaqëson Sergej K. para gjykatës italiane ku po vendoset për ekstradimin e tij në Gjermani, u ankua për "Welt" se askush nga Kievi nuk e ka kontaktuar klientin e tij.
Avokati tha se deri më tani askush nga ambasada ukrainase nuk ka kërkuar kontakt me klientin e tij. "Kjo është shumë e pazakontë, veçanërisht pasi ai shërbeu si oficer në ushtrinë ukrainase deri në fund të vitit 2023", u ankua avokati.
Gazeta pohon gjithashtu se ka "prova të shumta" që tregojnë se autoritetet ukrainase ishin të përfshira dhe një hetues i paidentifikuar tha se ekuipazhi dyshohet se ishte organizuar nga ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Valery Zaluzhny, i cili tani është ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar.
Më herët, gazeta gjermane Der Spiegel raportoi se i dyshuari për sabotimin e Nord Stream, Sergey K., kishte dy pasaporta ukrainase me dy emra të ndryshëm, duke treguar përfshirjen e mundshme të agjencive qeveritare ukrainase në fshehjen e sabotatorëve.
Gazeta raportoi gjithashtu se Valery Zaluzhny dha "dritën jeshile" për të kryer sabotimin. (A2 Televizion)