Hijet e zgjerimit të luftës po eklipsojnë rrezet e paqes në Lindjen e Mesme. Një dron ka goditur jugun e lartësive të Golanit të aneksuar nga Izraeli, pa shkaktuar dëme materiale. Militantët iranianë që operojnë në Irak kanë marrë përsipër sulmin duke njoftuar se është kryer në shenjë mbështetje për Gazën dhe Palestinën.
Ushtria e Tel Avivit ka rrëzuar një dron që ishte lëshuar nga territori i Libanit. Sirenat e alarmit kanë rënë në zona të ndryshme në veri, përfshirë në qytetin Haifa. Një ministër izraelit tha se ushtria do të veprojë për të shtyrë pas grupin e armatosur të Hezbollahut nga kufiri mes Izraelit dhe Libanit, nëse sulmet do të vazhdojnë.
Ky është një tjetër sinjal që ngjall frikë për një zgjerim të mundshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, Siria ka ngritur zërin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të kërkuar që Izraeli të mos cenojë më sovranitetin e shtetit, duke dënuar vrasjen afër Damaskut të një gjenerali të lartë të ushtrisë së Iranit.
Lideri suprem Iranian, Ajatollahu Ali Khamenei, udhëhoqi lutjet në funeralin e komandantit të vrarë në Siri, duke lëshuar dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë kundër atyre që i konsideron armiq, përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ju ikët nga kjo botë si një martir. Hakmarrja jonë nuk do të jetë asgjë tjetër përveç eliminimit të regjimit sionist”, u shpreh Ali Khamenei.
Lideri Iranian u lut më tej që palestinezët të fshijnë nga harta gjeografike dhe politike shtetin e Izraelit. Kreu i ushtrisë iraniane kërcënoi në funeral duke thënë se hakmarrja do të jetë tepër e ashpër.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka reaguar më një zë të fortë ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
“Do t’i kundërpërgjigjemi sulmeve”, nënvizoi kreu I Shtëpisë së Bardhë. (A2 Televizion)