Zgjidhja me dy shtete për konfliktin Izrael–Palestinë është ideja për të sjellë paqe përmes krijimit të një shteti palestinez përkrah Izraelit, në territoret që Izraeli i pushtoi gjatë luftës së vitit 1967.
Por, kjo ide ka hasur pengesa prej kohësh, të cilat vetëm sa janë shtuar me kalimin e viteve. Ato përfshijnë zgjerimin e vendbanimeve hebraike në tokat e pushtuara, si dhe qëndrimet e pandryshueshme mbi çështjet thelbësore, përfshirë kufijtë, fatin e refugjatëve palestinezë dhe statusin e Jerusalemit, shkruan A2.
Më 12 shtator, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi me shumicë dërrmuese në favor të një deklarate që parashikon “hapa konkretë, me afat të përcaktuar dhe të pakthyeshëm” drejt një zgjidhjeje me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës, në prag të një takimi të liderëve botërorë.
Deklarata shtatëfaqëshe është rezultat i një konference ndërkombëtare të mbajtur në korrik në OKB – organizuar nga Arabia Saudite dhe Franca – mbi konfliktin që zgjat prej dekadash. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e bojkotuan këtë ngjarje. Votimi parapriu një takim të liderëve botërorë më 22 shtator – në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së – ku pritet që Britania, Franca, Kanadaja, Australia dhe Belgjika të njohin zyrtarisht shtetin palestinez.
Cilat janë fillesat e zgjidhjes me dy shtete?
Konflikti shpërtheu në Palestinën e sunduar nga britanikët mes arabëve dhe hebrenjve që kishin migruar aty, duke kërkuar një atdhe kombëtar teksa iknin nga persekutimi antisemit në Europë dhe duke u mbështetur në lidhjet biblike me tokën gjatë shekujve të mërgimit. Në vitin1947, Kombet e Bashkuara miratuan një plan për ndarjen e Palestinës në shtete arabe dhe hebraike, me Jeruzalemin nën administrim ndërkombëtar. Udhëheqësit hebrenj e pranuan planin, i cili u jepte atyre 56% të territorit. Liga Arabe e refuzoi. Më 14 maj 1948 u shpall shteti i Izraelit. Një ditë më pas, pesë shtete arabe e sulmuan. Lufta përfundoi me Izraelin që kontrollonte77 % të territorit. Rreth 700 mijë palestinezë u larguan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre, duke përfunduar në Jordani, Liban dhe Siri, si dhe në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Në luftën e vitit 1967, Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, nga Jordania dhe Gazën nga Egjipti, duke marrë kontrollin e gjithë territorit nga Mesdheu deri në luginën e Jordanit.
Edhe pse 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së tashmë e njohin Palestinën si shtet, ajo vetë nuk është anëtare e OKB-së, që do të thotë se shumica e palestinezëve nuk njihen nga organizata botërore si qytetarë të ndonjë shteti. Rreth 3.5 milion jetojnë si refugjatë në Siri, Liban e Jordani dhe 5.5 milion në territoret e pushtuara nga Izraeli në 1967. Dy milionë të tjerë jetojnë në Izrael si shtetas izraelitë.
A ka qenë ndonjëherë pranë një marrëveshje?
Zgjidhja me dy shtete ishte themeli i procesit të paqes të mbështetur nga SHBA, që nisi me Marrëveshjet e Oslos më 1993, të nënshkruara nga Yasser Arafat i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) dhe kryeministri izraelit Yitzhak Rabin. Marrëveshjet çuan OÇP-në të njihte të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe të hiqte dorë nga dhuna, si dhe në krijimin e Autoritetit Palestinez (AP).
Palestinezët shpresonin se kjo do të ishte një hap drejt një shteti të pavarur, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet. Por procesi hasi kundërshtime të forta nga të dyja palët. Hamas, një lëvizje islamiste, ndërmori sulme vetëvrasëse që vranë dhjetëra izraelitë dhe në vitin 2007 mori Gazën nga AP në një luftë civile të shkurtër. Karta e Hamasit e vitit 1988 kërkon zhdukjen e Izraelit, megjithëse vitet e fundit ka thënë se do të pranonte një shtet palestinez brenda kufijve të 1967-ës. Izraeli thotë se këto deklarata janë mashtrim. Në vitin1995, Rabin u vra nga një hebre ultranacionalist që donte të ndalonte çdo marrëveshje “tokë për paqe”.
Në vitin 2000, Presidenti amerikan Bill Clinton ftoi Arafatin dhe kryeministrin izraelit Ehud Barak në Camp David për të arritur një marrëveshje, por përpjekja dështoi. Fati i Jerusalemit, të cilin Izraeli e konsideron kryeqytetin e tij “të përjetshëm dhe të pandashëm”, mbeti pengesa kryesore. Konflikti u përshkallëzua me intifadën e dytë palestineze (2000–2005). Administratat amerikane tentuan të ringjallnin procesin e paqes, por pa sukses, me përpjekjen e fundit që dështoi në 2014.
Si mund të duket Palestina? Mbështetësit e zgjidhjes me dy shtete e kanë vizionuar Palestinën në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, të lidhur përmes një korridori nëpër Izrael. Dy dekada më parë, ish-negociatorë izraelitë dhe palestinezë hartuan një plan të njohur si Marrëveshja e Gjenevës. Parimet e saj përfshijnë: njohjen e lagjeve hebraike të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, njohjen e lagjeve arabe si kryeqytet i Palestinës dhe krijimin e një shteti palestinez të çmilitarizuar. Izraeli do të aneksonte vendbanimet e mëdha dhe do të jepte tokë tjetër në këmbim, duke zhvendosur kolonët hebrenj jashtë territoreve sovrane palestineze.
A është e mundur një zgjidhje me dy shtete?
Ndërsa Izraeli tërhoqi kolonët dhe ushtrinë nga Gaza në vitin 2005, vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor u zgjeruan, duke kaluar nga 250 mijë banorë në 1993 në 700 mijë tre dekada më vonë, sipas organizatës izraelite Peace Now. Palestinezët thonë se kjo minon bazën e një shteti të qëndrueshëm. Vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Gaza. Gjatë Intifadës së Dytë, Izraeli ndërtoi një mur ndarës që tha se synonte të ndalonte sulmuesit palestinezë të hynin në qytetet izraelite.
Palestinezët e quajnë atë “vjedhje toke”. Autoriteti Palestinez i udhëhequr nga Mahmoud Abbas administron disa “ishuj” territori në Bregun Perëndimor, të rrethuar nga zona nën kontrollin izraelit që përfshin 60% të territorit – përfshirë kufirinjordanez dhe vendbanimet – sipas Marrëveshjeve të Oslos. Qeveria e Netanyahut është më e djathta në historinë e Izraelit dhe përfshin nacionalistë fetarë që gëzojnë mbështetjen e kolonëve. Ministri i Financave nga e djathta ekstreme, Bezalel Smotrich, ka deklaruar se “nuk ekziston populli palestinez”.
Më 7 korrik, Netanyahu tha se donte paqe me palestinezët, por e përshkroi çdo shtet të ardhshëm të pavarur si një platformë të mundshme për të shkatërruar Izraelin, duke theksuar se kontrolli i sigurisë duhet të mbetet në duart e Izraelit. Hamas fitoi zgjedhjet në 2006 dhe një vit më vonë përzuri forcat besnike të Abbas-it nga Gaza, duke e fragmentuar territorin ku palestinezët shpresonin të ngrinin shtetin e tyre. Që atëherë, Hamas dhe Izraeli kanë zhvilluar disa luftëra, duke kulmuar me sulmet ndaj komuniteteve në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, që ndezën luftën aktuale në Gaza. (A2 Televizion)