Paratë mbeten pa zot, 4.2 miliardë euro që nuk i përkasin "askujt" nëpër banka

Nga A2 CNN
19 Shtator 2025, 22:42 | Bota

Paratë mbeten pa zot, 4.2 miliardë euro që nuk i përkasin

Miliarda të depozituara në llogari të ashtuquajtura joaktive ose të harruara mund të gjenden në Gjermani.

Sipas një analize të kryer me urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe Kërkimit, rezulton se bëhet fjalë për deri në 4.2 miliardë euro të harruara në bankat e Gjermanisë.

Profesori i ekonomisë Christian Klein nga Universiteti i Kasselit tha për Deutsche Welle se një analizë është bërë nga ekspertët dhe në shumicën e rasteve rezulton se “pronari i llogarisë ndoshta ka vdekur dhe nuk ka trashëgimtarë, ose llogaria nuk është regjistruar fare në dokumente”.

"Mund të jetë gjithashtu se janë fonde të paligjshme, para të zeza, para droge, kështu që pronarët mund të jenë të lumtur që paratë janë harruar", tha ai më tej.

Një llogari konsiderohet e harruar kur bankat nuk arrijnë të krijojnë kontakt me pronarin për vite me radhë.

“Llogaritë përgjithmonë joaktive i nënshtrohen një procesi të gjerë dhe shumëfazor verifikimi dhe njoftimi. Është e rëndësishme për ne që të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të gjetur pronarin e llogarisë ose personin e autorizuar”, thonë nga Sparda Bank Hessen.

Nëse ende nuk ka kontakt, shumica e bankave e mbyllin llogarinë pas 30 vitesh. Por, për shembull, nëse dikush i kontakton pas 45 vitesh dhe u kërkon paratë, banka është e detyruar t’ia kthejë ato.

"Kam përshtypjen se shumica e bankave nuk ndihen rehat me këtë. Paratë harrohen, kështu janë gjërat, dhe është e pakëndshme të mendosh se banka thjesht i përvetëson ato", thotë më tej Profesor Klein.

Thorsten Haese , drejtor ligjor i Shoqatës Gjermane të Bankave, e cila përfaqëson bankat private, e di pse institucionet financiare preferojnë të mos komentojnë për këtë.

"Sipas mendimit tonë, kjo thjesht nuk është problem. Është e natyrshme që ndonjëherë kontakti me klientin humbet dhe ajo që vijon është e përcaktuar qartë. Kjo është arsyeja pse nuk ka nevojë për diskutim nga ana jonë", shpjegoi ai.

Nga afërsisht 110 milionë llogari rrjedhëse në Gjermani, më shumë se 70 përqind e tyre menaxhohen tashmë në internet. Për trashëgimtarët që dyshojnë se fondet e pazbuluara ende ekzistojnë diku, Shoqata e Bankave ofron një shërbim falas të kërkimit të llogarisë.

"Nëse dikush na kontakton, ne presim që të ketë të paktën disa indikacione se ka asete të panjohura. Kushdo që ka dyshime të arsyeshme se ka asete të pazbuluara mund të na kontaktojë dhe ne do t'ua përcjellim kërkesën bankave tona anëtare", thotë Drejtoresha Ligjore e ‘Sparda Bank’, Haese.

Shoqata bankare merr rreth 1,000 kërkesa të tilla në vit dhe numri i tyre është vazhdimisht në rritje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos