Rreth 10 vende, përfshirë Francën, Australinë, Belgjikën, Britaninë dhe Kanadanë, pritet të njohin zyrtarisht një shtet të pavarur palestinez të hënën, në një samit që do të mbahen në prag të mbledhjes vjetore të liderëve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Vendet kanë thënë se lëvizja synon të shtojë presionin ndaj Izraelit për t’i dhënë fund ofensivës shkatërruese në Gaza, për të reduktuar kolonitë e reja në Bregun Perëndimor dhe për t’u riangazhuar ndaj procesit afatgjatë të paqes, shkruan A2.
Londra ka bërë ditur se do të përmbahet nga ky hap nëse Izraeli do të ndërmarrë hapa për të lehtësuar krizën humanitare dhe për t’u angazhuar ndaj procesit të paqes. Presidenti francez Emmanuel Macron, i pari lider i një fuqie perëndimore që përkrahu njohjen, tha se lëvizja do të shoqërohej me zotimin e Autoriteti Palestinez për të ndërmarrë reforma që do të përmirësonin qeverinë palestineze dhe do ta bënin atë një partner më të besueshëm në administratën pas luftës në Gaza.
Në një prononcim të fundit ai nuk ja kuseu kritikat izraelit duke thënë se me planet për bregun perëndimor, synon të vrasë zgjidhjen me dy shtete: “Qasja e qeverisë izraelite, veçanërisht e disa ministrave, është të shkatërrojë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete. Dhe mendoj se tani, pati një emergjencë, veçanërisht pas këtij votimi kundër Bregut Perëndimor, për të rifilluar vendbanimet. Mendoj se janë momentet e fundit para se propozimi i dy shteteve të bëhet krejtësisht i pamundur. Bregu Perëndimor nuk ka të bëjë fare me Hamasin. Dhe kur ata fillojnë të thonë se përgjigjja jonë ndaj njohjes do të jetë rifillimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor, kjo është prova më e mirë se ky është një projekt politik, qëllimi i të cilit nuk është të shpërbëjë Hamasin, por të shkatërrojë mundësinë e dy shteteve dhe të mohojë të drejtën e popullit palestinez për të jetuar në paqe në rajon”.
Izraeli, i cili përballet me kritika të mëdha ndërkombëtare për luftën e vet në Gaza, thotë se njohja do të shpërblente Hamasin për sulmet e 7 tetorit të vitit 2023. Kryeministri Netanyahu pretendon se shteti hebraik nuk do të hiqte dorë kurrë nga kontrolli i sigurisë mbi Gaza ose Bregun Perëndimor. Shtetet e Bashkuara, aleati kyç i Izraelit, kanë kundërshtuar fuqishëm lëvizjen e aleatëve europianë për të njohur Palestinën. Administrata Trump është përgjigjur duke vendosur sanksione ndaj zyrtarëve palestinezë përfshirë duke bllokuar Mahmut Abasin dhe figura të tjera të Autoritetit Palestinez të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB duke u mohuar apo tërhequr vizat.
Pa një vend të plotë në OKB ose kontroll të kufijve të vet, Autoriteti Palestinez ka vetëm aftësi të kufizuar për të zhvilluar marrëdhënie dypalëshe. Nuk ka ambasada zyrtare në territorin palestinez dhe vendet nuk mund të dërgojnë lirisht diplomatë atje. Izraeli kufizon aksesin për mallra, investime dhe shkëmbime arsimore ose kulturore. Nuk ka aeroporte palestineze. Bregu Perëndimor pa dalje në det mund të arrihet vetëm përmes Izraelit ose përmes kufirit të kontrolluar nga Izraeli me Jordaninë, dhe Izraeli kontrollon të gjithë aksesin në Rripin e Gazës.
Edhe pse përfitimet praktike nga njohja e disa shteteve janë minimale, ky gjest mbetet kuptimplotë. Autoriteti Palestinez mendon se ai do të çojë në partneritete mes entiteteve në kushte më të barabarta. (A2 Televizion)