Udhëheqësi rus Vladimir Putin tha se brezi i ardhshëm i udhëheqjes politike të vendit duhet të përbëhet nga veteranë të luftës në Ukrainë. Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me grupe të ndryshme në Dumën Shtetërore dhe foli gjithashtu për pjesëmarrjen e veteranëve të luftës në zgjedhje.
Në Rusinë e Putinit, siç na kujton Newsweek, nuk ka shumë hapësirë për ndonjë shprehje domethënëse mospajtimi apo kundërshtimi politik, dhe partia “Rusia e Bashkuar”, me të cilën udhëheqësi rus është i lidhur ngushtë, kontrollon fort situatën politike dhe shoqërore të përgjithshme.
Kjo kërkesë e re e tij tregon një forcim të mëtejshëm të nacionalizmit të ashpër rus që dominon shtyllat e pushtetit politik nën Putinin dhe inkurajimin e një atmosfere të një Lufte të re të Ftohtë midis Moskës dhe Perëndimit, një mjedis politik dhe kulturor që ka të ngjarë të vazhdojë edhe pas largimit të tij përfundimtar nga pushteti.
"Ne duhet të kërkojmë, gjejmë dhe propozojmë njerëz që janë të patrembur në shërbimin ndaj atdheut dhe që ishin të gatshëm të rrezikonin shëndetin dhe madje edhe jetën e tyre. Njerëz të tillë duhet të ngrihen në pozicione drejtuese. Ata do të jenë pasardhësit tanë. Kjo është diçka për të cilën duhet të mendojmë. Dhe faleminderit që propozoni njerëz të tillë", tha Putin, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.
Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022 dhe ka rekrutuar qindra mijëra njerëz për të luftuar. Madje ka liruar të burgosur, përfshirë ata të dënuar për krimet më të rënda, për të shërbyer në fushat e betejës në Ukrainë.
Kremlini nuk publikon rregullisht shifra mbi viktimat ushtarake, por disa vlerësime e çojnë numrin e ushtarëve rusë të vrarë në qindra mijëra. Ata që mbijetojnë, raporton Newsweek , shpesh kthehen në shtëpi të traumatizuar thellësisht, duke krijuar një valë të re problemesh sociale me të cilat shteti rus duhet të përballet, duke përfshirë krime të rënda dhe dhunë, ndërsa përpiqet të riintegrojë veteranët në shoqëri.
“Në total, ndoshta më shumë se 1.5 milion burra dhe gra ruse kanë marrë pjesë në luftë që nga fillimi i vitit 2025”, tha për Reuters, Mark Galeotti, një kremlinolog dhe autor i librave të shumtë mbi Putinin dhe politikën ruse, i cili shkroi një raport mbi këtë çështje për Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional. (A2 Televizion)