Ndihmat për familjet në nevojë, Pastori: Është rritur niveli i varfërisë në vend

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
24 Dhjetor 2025, 14:06 | Sociale

Organizatat dhe institucionet humanitare prej ditësh kanë nisur shpërndarjen e ndihmave të ndryshme për familjet në nevojë, në këtë prag festash të fundvitit. Një prej tyre është edhe fondacioni “Krishti për Kombet”, i drejtuar nga pastori Mentor Rama, të cilin e gjejmë duke shpërndarë ndihma në zonat rurale të Pogradecit, duke shkuar deri në ato zona ku edhe vetë institucionet i kanë harruar.

Por, ndërsa lumturohet që arrin të ndihmojë me qindra persona në nevojë, kryesisht fëmijë dhe të moshuar, pastori konstaton me keqardhje situatën e varfërisë në vend gjatë të paktën 25 viteve të fundit, periudhë në të cilën fondacioni operon me shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë.

“Mundohemi të jemi pranë fëmijëve dhe familjeve në nevojë. Vetëm në prefekturën e Pogradecit mund të jenë rreth 15 mijë persona përfitues, por duke u shtrirë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, mund të arrijmë diku tek 24.900 persona, individë të ndryshëm, qofshin fëmijë apo familjarë që janë prekur,” shprehet ai për A2.

“Mua më dhemb zemra ta them dhe më vjen keq që më duhet ta pranoj edhe vetë si qytetar i këtij vendi se varfëria në këto kohët e fundit është shtuar më shumë, të paktën sipas evidencave tona. Nëse para shumë vitesh nevoja më e madhe ka qenë tek fëmijët, të cilët janë e tashmja dhe e ardhmja, sot po përballemi me një problem shumë akut, që është mosha e tretë”, shton pastori Rama.

Ndihmat humanitare në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri sjellin jo vetëm ushqime dhe paketa festive, por edhe gëzim e shpresë për dhjetëra familje që përballen çdo ditë me varfërinë dhe pasigurinë ekonomike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos