
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është “e papranueshme” që Irani po diskuton formalizimin e kontrollit të tij mbi Ngushticën e Hormuzit, duke përfshirë pretendimin për sovranitet mbi këtë rrugë ujore jetike dhe vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë aty.
Duke folur para gazetarëve në Paris, Rubio tha se disa zyrtarë të regjimit iranian po propozojnë që sistemi i tarifimit për kalimin në ngushticë të bëhet i përhershëm.
“Ka disa në regjimin iranian që po thonë se duan ta bëjnë të përhershme çështjen e tarifimit në Ngushticën e Hormuzit… E gjithë bota duhet të indinjohet nga kjo,” u shpreh ai.
Raportime nga Teherani më herët gjatë javës sugjeruan se parlamenti iranian po kërkon të miratojë një ligj për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë nëpër ngushticë, me argumentin e garantimit të sigurisë së tyre.
Megjithatë, Irani nuk ka pasur kurrë sovranitet të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit dhe një pretendim i tillë ligjor pritet të refuzohet gjerësisht në nivel ndërkombëtar.
Kreu i diplomacisë amerikane theksoi gjithashtu se, ndonëse SHBA nuk po kërkon ndihmë ndërkombëtare për luftën e saj ndaj Iranit, pret që vendet që varen nga trafiku detar në këtë zonë të ndërmarrin hapa, së bashku me SHBA-në, për të garantuar lirinë e lundrimit. (A2 Televizion)