
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka kritikuar luftën e nisur nga SHBA ndaj Iranit, duke e cilësuar atë si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe një gabim politik me pasoja të rënda.
Gjatë një fjalimi në Berlin, Steinmeier u shpreh se nuk ekziston një justifikim i qëndrueshëm për një sulm të tillë, duke theksuar se konflikti është “i shmangshëm dhe i panevojshëm”.
Ai kritikoi gjithashtu presidentin amerikan Donald Trump për vendimin për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin gjatë mandatit të tij të parë, duke nënvizuar se kjo marrëveshje kishte si synim pikërisht shmangien e një përshkallëzimi të tillë.
Megjithëse roli i presidentit në Gjermani është kryesisht ceremonial, komentet e tij përbëjnë ndër kritikat më të forta nga një zyrtar i lartë gjerman ndaj kësaj lufte dhe mund të rrisin presionin ndaj kancelarit Friedrich Merz për të mbajtur një qëndrim më të qartë.
Steinmeier paralajmëroi se konflikti mund të sjellë një përçarje të thellë në marrëdhëniet transatlantike, duke e krahasuar situatën me prishjen e marrëdhënieve të Gjermanisë me Rusi pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Ai theksoi se kjo përçarje mund të jetë afatgjatë dhe se marrëdhëniet me SHBA-të nuk do të kthehen më në nivelin e mëparshëm.
Në këtë kontekst, presidenti gjerman bëri thirrje për më shumë pavarësi të vendit të tij nga SHBA-të, si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë teknologjik.
Sipas tij, ushtria gjermane duhet të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e Europës, ndërsa vendi duhet të reduktojë varësinë nga teknologjia amerikane për të garantuar autonominë strategjike. (A2 Televizion)