Rusët jashtë linjës së Putin, 70% e qytetarëve duan që lufta në Ukrainë të përfundojë

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2023, 20:34 | Bota
Rusët jashtë linjës së Putin, 70% e qytetarëve duan

Shumica e qytetarëve rus duket se nuk ndajnë të njëjtin mendim me presidentin e tyre Vladimir Putin sa i përket luftës në Ukrainë. Në një sondazh të publikuar së fundmi nga Levada-Centr rezulton se 70% e qytetarëve mbështesin përfundimin e menjëhershëm të konfliktit të luftës.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, shumica e të anketuarve (57%) nuk janë dakord që Ukraina të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

Në sondazhin mujor të Levada-Centr mbi luftën, të anketuarit u ndanë rastësisht në dy grupe të barabarta.

Grupi i parë u pyet: "Nëse këtë javë presidenti Vladimir Putin do të vendoste t'i jepte fund konfliktit ushtarak me Ukrainën, a do ta mbështesnit atë vendim apo jo?".

37% e tyre u përgjigjën duke thënë se e "përkrahin patjetër", 33% "ndoshta do ta mbështesin", 12% "padyshim që jo", 9% - "ndoshta jo" dhe 9% me alternativën "është e vështirë të përgjigjem".

Grupi i dytë i të anketuarve u pyet: "Nëse këtë javë presidenti Vladimir Putin vendos t'i japë fund konfliktit ushtarak me Ukrainën dhe të kthejë territoret e aneksuara të Ukrainës, a do ta mbështesnit këtë vendim apo jo?".

16% janë përgjigjur duke thënë "padyshim që do ta mbështes", 18% "ndoshta do ta mbështes", 19% "ndoshta nuk e mbështes", 38% "definitivisht nuk e mbështes" dhe 10% "e vështirë të përgjigjem".

Kur u pyetën nëse armiqësitë duhet të vazhdojnë ose bisedimet e paqes duhet të fillojnë, më shumë se gjysma e të anketuarve thanë se favorizonin negociatat.

37% favorizonin vazhdimin e armiqësive, ndërsa 56% e të anketuarve thanë se ishte e nevojshme të fillonin bisedimet e paqes.

Sqarohet se luftën në Ukrainë e mbështesin më së shumti personat e moshës 55 e lart, në masën 45%, ndërsa te moshat 18 deri në 24 vjeç kjo përqindje arrin në 23%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos