Hapet kufiri me Egjiptin, evakuohen rreth 500 vetë, Netanjahu: Lufta do të jetë e gjatë

Nga Rosalba Bejdo
1 Nëntor 2023, 15:57 | Bota

Kufiri i Rafahut mes Rrripit të Gazës dhe Egjiptit u hap për herë të parë që prej shpërthimit të luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor. Në sajë të një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Katari, mes Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit, rreth 500 shtetas të huaj ose palestinezë me nënshtetësi të dyfishtë dhe gati 90 qytetarë të plagosur rëndë po evakuohen për trajtim drejt Egjiptit.

Një sërë ambulancash, të cilat u stacionuan pranë pikëkalimit të Rafahut, po transportojnë të plagosurit.

“Erdha në Gaza tre muaj më parë për një vizitë, e më pas shpërtheu lufta. Kalova javë këtu pa parametrin më minimal të jetesës, pa ujë, ushqim, apo strehim. I hapim sytë me njerëz të vdekur dhe i mbyllim me njerëz të vdekur.”

Fathi Abu Al Hassan - Shtetas amerikano-palestinez

Marrëveshja për hapjen e kufirit me Egjiptin, erdhi pas një dite gjakderdhje në Gaza, ku në shënjestër të sulmeve ajrore izraelite u vu kampi më i populluar i refugjatëve në Gaza, ai i Jabalias. Shpërthimi masiv shkaktoi viktima të shumta, rrafshoi godina dhe krijoi kratere të mëdha në zonë.

Izraeli tha se kishte vrarë një komandant të lartë të Hamasit duke shkatërruar infrastrukturë nëntokësore të grupit militant. Ushtria konfirmoi gjithashtu se 11 ushtarë ishin vrarë në operacionin tokësor, të cilët siç tha kryeministri Netanjahu kishin rënë për një luftë të drejtë.

“Jemi në një luftë të vështirë, e cila do të jetë e gjatë. Ushtarët tanë ranë për një luftë më se të drejtë në shtëpinë e tyre. I premtoj qytetarëve që do të finalizojmë misionin tonë.”

Benjamin Netanjahu – Kryeministër i Izraelit

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një katastrofë shëndetësore publike, teksa foshnjat po vdesin nga dehidratimi. E rëndë situata në spitale, ku mjekët po marrin masa drastike për të trajtuar të plagosurit.

Shërbimet telefonike dhe të internetit janë ndërprerë plotësisht në Gaza, në të dytin blackout në një javë. Sipas autoriteteve palestineze mbi 8700 vetë janë vrarë që prej 7 tetorit, 3648 prej të cilëve fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos