Të paktën shtatë civilë janë vrarë dhe 23 të tjerë janë plagosur në sulmet ruse ndaj Ukrainës gjatë 24 orëve të fundit.
Forcat Ajrore Ukrainase njoftuan se Rusia lëshoi 84 dronë Shahed gjatë natës, ndërsa ata rrëzuan 60 prej tyre. Sakaq 24 dronët e tjerë goditën dhjetë zona të ndryshme në të gjithë vendin.
Viktimat më të shumta u regjistruan në rajonin e Donjetskut, ku, sipas guvernatorit Vadim Filashkin, gjashtë civilë u vranë dhe 10 u plagosën. Në rajonin e Zaporizhias, një civil humbi jetën dhe një person u plagos pasi, siç raportoi guvernatori Ivan Fedorov, plot 474 sulme ndodhën ndaj 13 vendbanimeve.
Sulmet prekën edhe rajone të tjera. Në rajonin e Khersonit, pesë persona u plagosën dhe tre shtëpi u dëmtuan, sipas guvernatorit Oleksandr Prokudin.
Në rajonin e Sumës, gjashtë persona u plagosën, përfshirë dy shpëtimtarë dhe dy policë. Në rajonin e Kharkivit, një grua 60-vjeçare u plagos, ndërsa, sipas guvernatorit Oleh Sinjehubov, nëntë vendbanime u shënjestruan.
Moska ka intensifikuar valët e mëdha të sulmeve me dronë dhe raketa që synojnë infrastrukturën civile në javët e fundit, ndërsa bisedimet e paqes hyjnë në muajin e tyre të tetë pa rezultate konkrete. Ukraina vazhdon të kërkojë një armëpushim pa kushte, të cilin Rusia e refuzon. (A2 Televizion)