Rusia gati për të sulmuar Evropën? Reagon Macron: Një sulm është i mundshëm

Nga A2 CNN
24 Shtator 2026, 22:37 | Bota

Rusia gati për të sulmuar Evropën? Reagon Macron: Një sulm

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mohuar se CIA e ka informuar Francën për një operacion të mundshëm rus me dronë që do të synonte vende të Evropës Jugore.

Në një intervistë të përbashkët për transmetuesit francezë France 2 dhe TF1, Macron deklaroi se informacioni i publikuar fillimisht nga e përditshmja spanjolle El Mundo nuk ishte konfirmuar nga autoritetet franceze.

“Ne mund ta mohojmë këtë informacion. CIA nuk e informoi Francën për këtë çështje dhe ministri italian i Mbrojtjes tha të njëjtën gjë”, u shpreh Macron.

Të enjten, El Mundo raportoi se CIA kishte paralajmëruar disa qeveri të Evropës Jugore për një operacion të mundshëm rus me dronë, ku objektiva të mundshëm përmendeshin Spanja, Franca dhe Italia. Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i mohoi gjithashtu këto pretendime.

Pavarësisht mohimit të një paralajmërimi të tillë nga CIA, Macron paralajmëroi se kërcënimi nga Rusia ndaj Evropës mbetet real.

Duke iu referuar asaj që ai e përshkroi si fushatë hibride të Rusisë kundër vendeve evropiane, presidenti francez përmendi edhe sulmin me dron në aeroportin Leipzig/Halle në Gjermani, në natën e 4 dhe 5 gushtit 2026, për të cilin autoritetet gjermane kanë fajësuar Rusinë.

Macron tha se Franca nuk ka përjetuar deri tani një sulm të ngjashëm, por nuk përjashtoi mundësinë që një incident i tillë të ndodhë.

“Kur më pyesni: ‘A mund të ndodhë kjo?’, përgjigjja ime është po”, deklaroi presidenti francez.

Sipas Macronit, Rusia e konsideron Evropën si një element strategjik në konfliktin në Ukrainë dhe mundësia që Moska të ndërmarrë një sulm ndaj Evropës është, sipas tij, “e besueshme”.

“Është e qartë se ka pasur disa shenja që tregojnë se Rusia po përgatitet ta bëjë këtë”, tha Macron. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos