
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbrojtur me tone të ashpra fushatat ushtarake të vendit të tij në Iran, Gaza dhe pjesë të tjera të Lindjes së Mesme, gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Pasi dhjetëra delegatë u larguan nga salla në shenjë proteste, teksa ai po ngjitej në podium, Netanyahu u zotua se do të vazhdojë luftën.
“Ne do të fitojmë. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, deklaroi ai. Në përgjigje të largimit të delegatëve, Netanyahu tha: “Nëse ka ende frikacakë të tjerë moralë që nuk janë larguar nga salla, ju lutem, bëjeni tani”.
Kreu i qeverisë izraelite hodhi poshtë gjithashtu akuzat se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.
Disa orë më herët, përmes një mesazhi të regjistruar, presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, i tha OKB-së se politikat izraelite, veçanërisht zgjerimi i paligjshëm i vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor të pushtuar, kërcënojnë “vetë jetën dhe ekzistencën e popullit palestinez në atdheun e tij”.
Abbas deklaroi gjithashtu se këto politika rrezikojnë zgjidhjen me dy shtete, formulën e mbështetur ndërkombëtarisht për arritjen e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.
Udhëheqësi palestinez tha se populli palestinez po përballet me “vrasje, shkatërrim, uri dhe përpjekje për zhvendosje, si dhe me një luftë gjenocidale” në Gaza, nga ushtria izraelite.
Abbas iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme përmes një lidhjeje video, pasi autoritetet amerikane i kishin refuzuar vizën e hyrjes në SHBA.
(A2 Televizion)