Për Vladimir Putin, Perëndimi po vazhdon luftën hibride kundër Rusisë.
Shefi i Kremlinit, gjatë një takimi me bordin drejtues të ushtrisë së vendit, tha se miti i armëve të vendeve të NATO-s ka rënë gjatë konfliktit me Ukrainën.
“Roli i triadës bërthamore është rritur”, u shpreh Putin duke folur për mundësinë e përdorimit të arsenalit bërthamor për mbrojtjen e Rusisë përmes raketave të lëshuara nga toka, deti dhe ajri.
Në kohën kur ai po fliste, në afërsit të Moskës u rrëzua një dron sulmues, për të cilin autoritetet ruse thanë se ishte dërguar nga Ukraina.
“Forcat e Armatosura Ruse do të duhet të pajisen me lloje të avancuara armësh, duke përfshirë sisteme robotike dhe lazer luftarakë, si dhe armë të bazuara në teknologjitë e inteligjencës artificiale dhe parimet e reja të fizikës”, deklaroi Putin.
Putin shtoi më tej para krerëve të ushtrisë se janë rrëzuar përpjekjet për t’i shkaktuar një mposhtje strategjike Rusisë.
Gjithashtu, pretendoi se industria e mbrojtjes e Moskës ka rezistuar dhe po zhvillohet më mirë se sa ajo e perëndimit. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, foli më shumë për luftën në Ukrainë duke pretenduar se që nga nisja e saj, forcat ruse kanë vrarë më shumë se 380 mijë ushtarë të Kievit dhe shkatërruar 12 avionë, mbi 700 tanke, dhe mijëra armë të tjera të dhuruara nga perëndimi.
Ndërkohë, Rusia ka ngritur në ajër atë që konsiderohet “elefanti” i flotës ajrore. Komandantët e ushtrisë testuan kapacitetet e transportit të trupave dhe armëve të rënda dhe të lehta, duke fluturuar njëkohësisht 7 avionë “Ruslan”.
Testimet e kryen në kushte tepër të vështira atmosferike, sipas një njoftimi zyrtar. Avionët “Ruslan” An-124-100 fluturuan në një lartësi prej 4 mijë metrash për 1 mijë kilometra me një shpejtësi mesatare me 500 kilometra në orë. (A2 Televizion)