Rusia rrëzon raketat "Atacms", Ukraina rrezikon të humbasë qytetin strategjik të Pokrovsk

Nga Erjon Dervishi
4 Janar 2025, 14:55 | Bota

Tetë raketa ATACMS të prodhuara nga SHBA janë rrëzuar nga forcat ruse. Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministria ruse e mbrojtjes duke njoftuar njëkohësisht edhe marrjen e fshatit Nadiya në rajonin lindor të Luhanskut të Ukrainës. Po ashtu Ministria tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar 10 dronë ukrainas mbi territorin rus të shtunën në mëngjes, duke përfshirë tre mbi rajonin verior të Leningradit.

Ndëkrohë bëhet e ditur se forcat ruse vazhdojnë të nisin sulmet pranë qytetit ukrainas të Pokrovsk në një përpjekje për ta anashkaluar atë nga jugu dhe për të ndërprerë rrugët e furnizimit për trupat e Ukrainës, tha të shtunën ushtria ukrainase. Kapja e qendrës rrugore dhe hekurudhore në rajonin lindor të Donetskut mund të krijojë vështirësi serioze për ushtrinë ukrainase në frontin lindor dhe gjithashtu të lejojë Rusinë të përforcojë dhe avancojë vijën e saj të frontit në perëndim.

"Drejtimi i Pokrovsk mbetet më i nxehti dhe atje rusët sulmuan 34 herë (në 24 orët e fundit) dhe u përpoqën të depërtojnë mbrojtjen tonë në jug të Pokrovsk," i tha televizionit kombëtar ukrainas Viktor Trehubov, zëdhënës i grupit të forcave të Khortytsia të Ukrainës.

Qyteti, i cili zotëron minierën që është furnizuesi i vetëm i qymyrit për industrinë dikur gjigante të çelikut të Ukrainës, kishte një popullsi të paraluftës prej rreth 60,000 njerëz. Ukraina vlerëson se rreth 11,000 prej tyre mbeten në qytet.

Trehubov tha se forcat ruse po përpiqeshin të bllokonin rrugët e furnizimit duke dërguar grupe të vogla ushtarësh në vendbanimet në jug të Pokrovsk.

"Rusët nuk hyjnë drejtpërdrejt në qytet sepse kjo do të thotë luftime të rënda urbane. Kështu që ata së pari përpiqen të anashkalojnë qytetin dhe të ndërpresin zinxhirët logjistik," tha Trehubov.

Ai tha se forcat e Kievit po përdorin dronë dhe armë precize për të provuar të parandalojnë trupat ruse të arrijnë objektivat e tyre.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos