Trupat ruse kanë përparuar me shpejtësi në një sektor strategjik të frontit në Ukrainën lindore. Lajmi bëhet i ditur nga ushtria dhe analistët ukrainas, disa ditë para bisedimeve të shumëpritura midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Përparimi i rusëve ndodhi në verilindje të Pokrovskut, një qytet minierash dhe epiqendra e luftimeve në Donetsk, rajoni lindor ukrainas që Moska pretendon se e ka aneksuar.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, duke pranuar de facto përparimin rus në këtë zonë, njoftoi sot se luftimet u zhvilluan në Kucheriv Yar, një fshat i vogël që disa javë më parë ishte vetëm kilometra larg frontit.
Vetëm në një ditë, Rusia përparoi rreth dhjetë kilometra në veri përgjatë një rruge, sipas DeepState, e cila është i referohet burimeve brenda ushtrisë ukrainase. Siç thekson media në fjalë, ritmi i përparimit rus është shumë më i shpejtë se zakonisht.
Një hartë e frontit e publikuar nga DeepState tregon një korridor të ngushtë që tani është nën kontrollin rus, i cili përbën një kërcënim për Dobropilia, një qytet në veriperëndim të Pokrovskut ku është vendosur një garnizon.
Sipas Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), “grupet ruse të sabotimit dhe zbulimit po depërtojnë në zonat pranë Dompropilya-s”.
Instituti theksoi, megjithatë, se është e parakohshme të karakterizohet përparimi rus si një “depërtim operativ” dhe se ditët në vijim do të jenë potencialisht kritike.
Një bloger ushtarak ukrainas, Sternenko, shkroi në Telegram se ky përparim u lejoi trupave ruse të kapnin pjesë të caktuara të një rruge që lidhte qytete të rëndësishme në rajon. Ai kishte thënë më parë se situata ishte kritike në këtë pjesë të frontit.
ISW e krahasoi këtë depërtim taktik me atë që lejoi një përparim të madh rus në prill 2024 pas pushtimit të qytetit Avdiivka pas një beteje të gjatë dhe të përgjakshme.
Ukraina ka frikë se takimi midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin të premten, i cili aktualisht është planifikuar të zhvillohet pa pjesëmarrjen e homologut të tyre ukrainas Volodymyr Zelensky, do të rezultojë në një marrëveshje që do ta detyronte atë të lëshojë pjesë të territorit të saj Rusisë.
"Në vend që të tregojnë gatishmëri për t'i dhënë fund luftës, rusët po përdorin të gjitha mjetet e tyre për të sulmuar frontin", tha Andriy Yermak, kreu i administratës presidenciale ukrainase. (A2 Televizion)