Trump nxjerr sërish SHBA nga UNESCO, çfarë pasojash ka ky vendim

Nga A2 CNN
22 Korrik 2025, 13:30 | Bota

Trump nxjerr sërish SHBA nga UNESCO, çfarë pasojash ka ky

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), sipas dy diplomatëve europianë, ndërsa presidenti Donald Trump vazhdon të largojë vendin nga institucionet ndërkombëtare që prej kohësh i ka kritikuar ashpër.

Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar ende zyrtarisht në lidhje me këtë vendim, ndërsa raportimi vjen nga burime diplomatike dhe është konfirmuar edhe nga New York Post, duke cituar një zyrtar të administratës amerikane, shkruan A2 CNN.

Ky vendim përbën një goditje për UNESCO-n, një agjenci me qendër në Paris e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore me synimin për të promovuar paqen përmes bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës. Ndër iniciativat më të njohura të UNESCO-s janë shpallja e Vendeve të Trashëgimisë Botërore.

Trump kishte ndërmarrë hapa të ngjashëm edhe gjatë mandatit të tij të parë, duke e nxjerrë SHBA-në nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së, marrëveshja globale për ndryshimet klimatike dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Presidenti Joe Biden, pas marrjes së detyrës në vitin 2021, i riktheu Shtetet e Bashkuara në këto organizata dhe marrëveshje, përfshirë edhe UNESCO-n.

Por me Trump sërish në Shtëpinë e Bardhë, SHBA ka nisur një tjetër cikël tërheqjeje nga trupat ndërkombëtarë. Ai ka vendosur tashmë të tërhiqet nga OBSH dhe të ndalojë financimin për agjencinë e OKB-së për ndihmën ndaj refugjatëve palestinezë (UNRWA), si pjesë e një rishikimi më të gjerë të pjesëmarrjes së SHBA në agjencitë e Kombeve të Bashkuara, i cili pritet të përfundojë në muajin gusht.

SHBA ishte një ndër themeluesit e UNESCO-s në vitin 1945, por u tërhoq për herë të parë në vitin 1984, duke akuzuar agjencinë për menaxhim të dobët financiar dhe paragjykim ndaj interesave amerikane. Pas rreth 20 vitesh, në vitin 2003, nën administratën e presidentit George W. Bush, SHBA u rikthye në UNESCO, pasi agjencia kishte ndërmarrë reforma të rëndësishme.

Aktualisht, SHBA mbulon rreth 8% të buxhetit të përgjithshëm të UNESCO-s, një rënie e ndjeshme krahasuar me 20% që kontribuonte para tërheqjes së parë të ndërmarrë nga Trump gjatë mandatit të tij të parë. Kjo tërheqje pritet të ketë pasoja të mëdha si për funksionimin e UNESCO-s, ashtu edhe për rolin e SHBA në bashkëpunimin global për çështje kulturore dhe arsimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos