Senati i kontrolluar nga republikanët i dha një goditje presidentit amerikan Donald Trump, pasi miratoi një masë që i kërkon atij të ndalë luftën në Iran ose të kërkojë aprovimin e Kongresit para çdo lloj aksioni ushtarak.
Por rezoluta është gjerësisht simbolike dhe, pavarësisht se mori dritën jeshile në të dyja dhomat e Kongresit, nuk do t’i dërgohet Trumpit për firmë e nuk bart fuqinë e ligjit. 3 republikanë iu bashkuan demokratëve në votimin e së martës, duke e miratuar rezolutën me 50 vota pro dhe 48 kundër.
Ky hap vjen teksa republikanët në Kongres kanë shprehur skepticizëm mbi planin e paqes së Trumpit me Iranin. Presidenti amerikan kritikoi ashpër rezolutën, duke e cilësuar si të pavend e të pakuptimtë.
“Pra, e kemi vënë Iranin në vështirësi të mëdha, gati të dorëzohet, i gatshëm të na japë pothuajse çdo gjë, dhe për herë të parë pas dekadash po tregon respekt të jashtëzakonshëm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit. Ndërkohë, Senati i SHBA-së vendos të zhvillojë një votim të pavend dhe pa kuptim për Aktin e Kompetencave të Luftës, duke i dërguar mesazhin sponsorit numër një të terrorizmit në botë se Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen me atë që po u bëj unë atyre dhe se duhet të ndalem. Me këtë veprim, ata i kanë dhënë mbështetje dhe kurajë armikut.”
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shton më tej se do ta përfundojë punën e nisur, pavarësisht se 3 senatorë republikanë, që kishin votuar pro rezolutës, ia kishin bërë më të vështirë.
Edhe pse jo detyruese, rezoluta është e rëndësishme pasi shton presionin ndaj Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës, e cila është jopopullore mes publikut pas rritjes së çmimit të naftës. Ajo është një tjetër sinjal përçarjeje mes republikanëve në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor, që do të përcaktojnë nëse partia mund të ruajë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit.
(A2 Televizion)