
Shtetet e Bashkuara dhe vendet arabe të Gjirit po hartojnë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që synon të dënojë Iranin për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, si reagim ndaj një fushate bombardimesh SHBA–Izrael. Këtë e deklaroi të hënën ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz.
Waltz tha se këtë javë do të zhvillohen negociata për rezolutën, e cila vjen pasi anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina, bllokuan muajin e kaluar një rezolutë të mëparshme që Uashingtoni shpresonte se do të mobilizonte përpjekje ndërkombëtare për të rikthyer lirinë e lundrimit në këtë rrugë detare strategjike, përcjell A2CNN.
SHBA po e harton rezolutën së bashku me Bahreinin, me kontribut edhe nga Kuvajti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, tha Waltz gjatë një telefonate me gazetarët.
Rezoluta pritet të kërkojë që Irani të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare dhe përpjekjet për të vendosur taksa (tarifa) mbi lundrimin në ngushticë. Ajo gjithashtu do të kërkojë që Irani të ndalojë vendosjen e minave detare dhe të bëjë publike vendndodhjen e tyre.
Waltz tha se drafti i ri është një “përpjekje më e kufizuar” krahasuar me rezolutën e mëparshme që dështoi, dhe vjen në një kohë kur është në fuqi një armëpushim me Iranin. Sipas tij, fokusi është më specifikisht te minimi i rrugëve ndërkombëtare detare dhe tarifat, çështje që ndikojnë ekonomitë e të gjithë botës, veçanërisht ato në Azi. (A2 Televizion)