
Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka shkatërruar gjashtë varka të vogla iraniane dhe ka interceptuar raketa lundruese si edhe dronë të lëshuar nga Irani, ndërsa ka nisur një operacion për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Kështu deklaroi të hënën admirali amerikan Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore.
Sipas Cooper, operacioni synon të mbrojë rrugët detare strategjike dhe të sigurojë që transporti ndërkombëtar i naftës dhe mallrave të vazhdojë pa ndërprerje në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.
Ai shtoi se u ka dhënë një paralajmërim të fortë forcave iraniane që të qëndrojnë larg aseteve ushtarake amerikane gjatë zhvillimit të këtij operacioni, duke theksuar rrezikun e përshkallëzimit të situatës në rast përballjeje të drejtpërdrejtë.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se një bllokadë amerikane ndaj Iranit mbetet në fuqi. Kjo bllokadë pengon anijet që të hyjnë në Iran ose të largohen nga territori iranian, dhe sipas tij, po rezulton më efektive se sa ishte parashikuar fillimisht, përcjell A2CNN.
Zhvillimet e fundit tregojnë për një rritje të tensioneve në rajon, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë dhe sigurinë detare. (A2 Televizion)