
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar për të njohur skllavërinë e afrikanëve gjatë tregtisë transatlantike të skllevërve si “krimin më të rëndë kundër njerëzimit”.
Ky është një veprim që avokatët shpresojnë se do të hapë rrugën për shërim dhe drejtësi. Rezoluta, e propozuar nga Gana, bëri thirrje për këtë përcaktim, ndërsa u kërkon gjithashtu shteteve anëtare të OKB-së të marrin në konsideratë kërkimin e faljes për tregtinë e skllevërve dhe kontributin në një fond dëmshpërblimi, shkruan A2CNN.
Rezoluta nuk përmend një shumë specifike parash. Propozimi u miratua me 123 vota pro dhe tre kundër: Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Argjentina. Pesëdhjetë e dy vende abstenuan, përfshirë, Shqipërinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Vende si Britania i kanë refuzuar prej kohësh thirrjet për të paguar dëmshpërblime, duke thënë se institucionet e sotme nuk mund të mbahen përgjegjëse për gabimet e së kaluarës. (A2 Televizion)