SHBA paralajmëron Poloninë për një provokim të mundshëm rus: Synimi mund të jetë testimi i NATO-s

Nga A2 CNN
3 Korrik 2026, 18:31 | Bota

SHBA paralajmëron Poloninë për një provokim të

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar autoritetet polake se Rusia mund të jetë duke përgatitur një provokim të armatosur kundër Polonisë, me synimin për të testuar vendosmërinë e NATO-s, raporton gazeta britanike The Telegraph, duke cituar burime të afërta me presidencën polake.

Sipas raportit, Uashingtoni i ka informuar autoritetet në Varshavë se një sulm i mundshëm mund të kryhet me raketa ose dronë ndaj infrastrukturës kritike polake, apo edhe përmes një inkursioni të kufizuar të trupave ruse në territorin polak, i cili është njëkohësisht territor i NATO-s, shkruan A2CNN. 

Burime pranë presidentit polak Karol Nawrocki, të cituara nga media polake Onet, thanë se një skenar i tillë mund të materializohet brenda pak muajsh. Sipas tyre, objektivi do të ishte krijimi i tensioneve dhe ushtrimi i presionit ndaj aleatëve perëndimorë për të reduktuar ose pezulluar ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.

“SHBA-të informojnë sistematikisht Poloninë për çdo plan të ri rus për një sulm konvencional në krahun lindor të NATO-s, nga i cili Polonia nuk është në asnjë mënyrë e përjashtuar”, citohet të ketë deklaruar një burim pranë presidencës polake.

Sipas shërbimeve polake të sigurisë, një sulm konvencional rus, përfshirë edhe një pushtim të kufizuar tokësor, mbetet një mundësi reale. Burimet vlerësojnë se Moska mund të përpiqet ta paraqesë një veprim të tillë si një aksident ose si pasojë e një gabimi teknik.

Raporti përmend edhe skenarë të tjerë të mundshëm, si sulme me dronë ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës kritike, si edhe fluturime provokuese të avionëve luftarakë që do ta detyronin Poloninë të aktivizonte sistemet e saj të mbrojtjes ajrore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos