Delegacione amerikane dhe ruse takohen sot në Stamboll, për të diskutuar mbi normalizimin e punës se misioneve të tyre diplomatike, pasi lufta në Ukrainë nxiti konfrontimin më të madh mes Moskës dhe Perëndimit që prej Luftës së Ftohtë.
Bisedimet do të drejtohen nga ambasadori i ri i Rusisë Alexander Darchiev dhe Zv/Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Sonata Coulter. Sipas Moskës dhe Uashingtonit, fokusi kryesor është rikthimi i bashkëpunimit mes misioneve diplomatike pas disa vitesh grindje, pretendime për intimidim reciprok e madje edhe ngrirje të aseteve diplomatike mes dy fuqive bërthamore.
Siç sqaroi një zëdhënës i DASH, Ukraina nuk është absolutisht në axhendë, shkruan A2.
Ndërkohë, Britania dhe Franca kanë thirrur një takim të ministrave të mbrojtjes nga 30 vende, për të diskutuar planet mbi dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë për të mbikqyrur një armëpushim të mundshëm.
Takimi që do të zhvillohet në selinë e NATO-s është i pari mes ministrave të Mbrojtjes që përfaqësojnë të ashtuquajturin koalicion vullnetarësh. Ai zhvillohet pas një vizite në Kiev javën e kaluar të zyrtarëve ushtarakë britanikë dhe francezë.
SHBA nuk do të jetë e pranishme në takim, por suksesi i koalicionit do të varet pikërisht nga mbështetja që do duhet të ofrojë SHBA përmes mburojës ajrore ose asistencë tjetër ushtarake. (A2 Televizion)