Armëpushimi dy javor mes SHBA dhe Iranit i dha botës frymëmarrje lehtësimi, por sinjalet që vijnë nga Lindja e Mesme tregojnë se paqja do të jetë e vështirë të arrihet.
Garda Revolucionare ka bllokuar sërish ngushticën e Hormuzit dhe paralajmëron me një përgjigje të ashpër nëse sulmet kundër Libanit nuk ndalen menjëherë.
Mediat iraniane raportuan se cisternat e naftës nuk po lejohen më të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, teksa Izraeli goditi Libanin me valën më intensive deri më tani. Kalimi i anijeve me naftë në ngushticën kyçe është çelësi i armëpushimit mes Iranit dhe SHBA.
Siç mësohet, anijet në gji kanë marrë mesazhin se ngushtica mbetet e mbyllur dhe se për lundrimin përmes itinerarit duhet leja e Gardës Revolucionare. “Çdo anije që do të përpiqet të kalojë do të goditet dhe shkatërrohet”, ishte mesazhi paralajmërues.
Zhvillimet vijnë pasi sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth tha se kishin një shans të vërtetë për paqen, foli për fitore historike dhe pohoi se Irani ishte lutur për armëpushim…
Hegseth: “Presidenti Trump e krijoi këtë moment. Irani iu lut për këtë armëpushim, dhe të gjithë e dimë këtë. Siç tha presidenti këtë mëngjes, ‘një ditë e madhe për paqen botërore’. Irani dëshiron që kjo të ndodhë. Ata pësuan boll. Operacioni Tërbimi Epik ishte një fitore historike dhe dërrmuese në fushën e betejës, një fitore ushtarake me ‘F’ të madhe. Sipas çdo vlerësimi, Tërbimi Epik shkatërroi ushtrinë e Iranit dhe e bëri atë të paaftë për luftim për vite me radhë.”
Ndërkohë, kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se do të diskutonin me Iranin mbi një reduktim të tarifave dhe sanksioneve. Shumë prej pikave të një plani paqeje janë dakordësuar, pohon Trump në rrjetin Truth Social.
Sipas tij, ka disa pika të rëndësishme që janë të pranueshme për SHBA dhe se do të diskutojnë për to me dyer të mbyllura.
Por mediat në Iran raportojnë se Teherani e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në negociata me ndalimin e sulmeve ndaj Iranit dhe se po vlerëson mundësinë për të rinisur sulmet kundër Izraelit në kundërpërgjigje të asaj që konsideron shkelje të armëpushimit të përkohshëm.
Nga Shtëpia e Bardhë replikojnë se lufta në Liban nuk ishte pjesë e marrëveshjes për armëpushimin 2-javor, e po ashtu Netanjahu ritheksoi se armëpushimi nuk do të përfshijë Hezbollahun. (A2 Televizion)