
Pak pasi Wall Street Journal raportoi se presidenti amerikan Donald Trump po mendon t’i japë fund luftës në Iran, edhe nëse ngushtica e Hormuzit do të vazhdojë të qëndrojë e mbyllur, kreu i Shtëpisë së Bardhë e përforcoi një skenar të tillë përmes një postimi në rrjetet sociale.
Trump tha se vendet si Britania e Madhe të cilat nuk janë në gjendje të marrin karburant për shkak të bllokadës në ngushticën e Hormuzit, duhet “të gjejnë pak guxim të vonuar, të shkojnë në Ngushticë dhe thjesht ta marrin.”
Duke sugjeruar se thuajse kishte mbaruar punë me Iranin, ai ju drejtua me një mesazh të fortë, aleatëve që siç pohoi nuk e kishin ndihmuar në operacionin ushtarak.
“Të gjitha ato vende që nuk mund të sigurojnë karburant për avionë për shkak të Ngushticës së Hormuzit, si Mbretëria e Bashkuar, e cila refuzoi të përfshihej në “shkatërrimin” e Iranit, kam një sugjerim për ju: Së pari, blini nga SHBA-ja, ne kemi me bollëk, dhe së dyti, mblidhni pak guxim të vonuar, shkoni në Ngushticë dhe thjesht merrni atë. Do t’ju duhet të filloni të mësoni si të luftoni për veten tuaj; SHBA-ja nuk do të jetë më aty për t’ju ndihmuar, ashtu siç nuk ishit ju aty për ne. Irani është, në thelb, i shkatërruar. Pjesa e vështirë ka mbaruar. Shkoni dhe merrni vetë naftën tuaj!”
Ai vijon me tej duke sulmuar Francën, që siç tha, nuk lejoi avionët e furnizuar me pajisje ushtarake drejt izraelit, të kalonin mbi territorin francez.
“Franca nuk ka ndihmuar aspak lidhur me Kasapin e Iranit dhe SHBA do ta mbajë mend”, tha ai. Deklaratat vijnë pasi Irani sulmoi dhe i vuri zjarrin një cisterne të mbushur plot me naftë bruto pranë brigjeve të Dubait, disa orë pasi presidenti amerikan kërcënoi se SHBA do të shkatërrojë impiantet energjetike dhe puset e naftës së Iranit nëse nuk hap ngushticën e Hormuzit. Imazhe të publikuara nga Korporata e naftës së Kuvajtit, treguan dëmet në anijen Al Salmi, me flamurin kuvajtian. Autoritetet në Dubai thanë se i kishin shuar flakët pas sulmit me dronë, dhe se nuk kishte pasur rrjedhje të naftës e as të lënduar mes pjesëtarëve të ekuipazhit. Sulme dhe interceptime të reja u raportuan në Izrael, Iran dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me disa të plagosur në Dubai si pasojë e shpërthimeve.
Mes raportimeve se Trump u ka thënë ndihmësve se dëshiron të tërhiqet nga lufta, një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se vendi i tyre është i përgatitur për të vijuar operacionet përgjatë javëve në vazhdim. Ndërkohë mijëra ushtarë të tjerë amerikanë kanë filluar të mbërrijnë në lindjen e mesme. (A2 Televizion)