
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mesditën e së martës në një pallat banimi në Neuchâtel të Zvicrës, duke lënë të plagosur katër persona.
Njëri prej të plagosurve është në gjendje të rëndë dhe është transportuar me helikopter drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.
Pas shpërthimit ka rënë zjarr në një prej apartamenteve të pallatit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arritur të vënë flakët nën kontroll.
Autoritetet kanë rrethuar zonën përreth ndërtesës, e cila ka qëndruar e mbyllur për disa orë. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë tym të dendur dhe flakë që dalin nga dritaret e një apartamenti në katin e parë. Shpërthimi ka shkaktuar gjithashtu dëmtime të dukshme në fasadën e ndërtesës. (A2 Televizion)