Një zjarr shpërtheu në një rafineri nafte pranë kryeqytetit të Iranit, Teheranit këtë të dielë pas një sulmi izraelit.
Sipas mediave të huaja, një re e madhe tymi u ngrit në qiell nga një zjarr i fuqishëm në agim, sipas pamjeve nga agjencia iraniane e lajmeve WANA.
Ndwrsa Agjencia gjysmë-zyrtare Tasnim tha se sulmet izraelite shënjestruan gjithashtu edhe ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes të Iranit, duke shkaktuar dëme të vogla.
Izraeli dhe Irani nisën sulme të reja ndaj njëri-tjetrit gjatë natës së kaluar, duke nxitur frikën e një konflikti më të gjerë pasi Izraeli zgjeroi fushatën e tij të papritur kundër rivalit kryesor me një sulm në fushën më të madhe të gazit në botë.
Presidenti Donald Trump tha se nëse Irani sulmon Shtetet e Bashkuara në çfarëdo mënyre, do të përballet me fuqinë e ushtrisë amerikane "në nivele të papara më parë".
''SHBA-të nuk kishin të bënin fare me sulmin ndaj Iranit dhe se ‘ne mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje midis Iranit dhe Izraelit dhe t'i japim fund këtij konflikti të përgjakshëm!!!’", tha Trump në platformën e tij Truth Social.
Teherani gjithashtu ka anuluar bisedimet bërthamore që Uashingtoni kishte thënë se ishin e vetmja mënyrë për të ndaluar bombardimet e Izraelit, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmet nuk ishin asgjë në krahasim me atë që Irani do të shihte në ditët në vijim, shkruan A2 CNN.
Ekipet izraelite të shpëtimit vazhduan misionin e kërkim-shpëtimit në qytetin bregdetar të Bat Yam, ku në një sulm raketor iranian gjatë natës rezultoinë "dhjetëra" viktima, sipas personelit të shpëtimit izraelit.
Kryebashkiaku i tha Reuters se disa persona u vranë në sulmin ndaj qytetit bregdetar dhe më shumë se 100 të tjerë u plagosën. Mediat izraelite thanë se të paktën 35 persona rezultojnë të zhdukur në qytetin bregdetar pas sulmit. (A2 Televizion)