Shpërthimi pranë ambasadës së SHBA në Oslo, akt terrorist? Ja pista ku po përqendrohen hetimet

Nga A2 CNN
8 Mars 2026, 14:08 | Bota

Shpërthimi pranë ambasadës së SHBA në Oslo, akt

Një shpërthim gjatë natës pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Oslo mund të ketë qenë një akt terrorist, kanë bërë të ditur autoritetet policore norvegjeze, raporton A2CNN. 

Ambasada e SHBA në kryeqytetin norvegjez pësoi dëme të vogla pas shpërthimit që ndodhi në orët e para të së dielës, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

“Një nga hipotezat është se mund të jetë një akt terrorizmi, por nuk jemi plotësisht të përqendruar vetëm te kjo pistë”, deklaroi Frode Larsen, drejtues i njësisë së përbashkët të hetimit dhe inteligjencës në polici, për transmetuesin publik norvegjez NRK.

Autoritetet norvegjeze kanë bërë të ditur se janë në kontakt me diplomatët amerikanë, ndërsa hetimet për zbardhjen e incidentit kanë nisur. Nga ana e tyre, diplomatët amerikanë nuk kanë komentuar ende ngjarjen.

Më vonë gjatë së dielës, Larsen theksoi se hetuesit duhet të mbeten të hapur edhe ndaj mundësive të tjera për shkaqet e shpërthimit.

Policia norvegjeze njoftoi më herët se një numër i madh forcash u dërguan në zonën pranë ambasadës rreth orës 01:00 me orën lokale.

“Policia është në komunikim me ambasadën dhe nuk raportohet për të lënduar”, thuhej në deklaratë.

Sipas Michael Dellemyr, i cili po drejton operacionin policor, shpërthimi ndodhi pranë hyrjes publike të ndërtesës së ambasadës. Policia ka kryer kontrolle në zonën përreth në lagjen Morgedalsvegen, rreth 7 kilometra larg qendrës së qytetit të Oslos.

Autoritetet kanë bërë gjithashtu thirrje për informacion nga çdo person që mund të ketë parë apo dëgjuar diçka në lidhje me incidentin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos