Presidenti amerikan Joe Biden u është drejtuar kongresmenëve demokratë me një letër të hënën, me anë të së cilës u bën të ditur se do ta vazhdojë kandidaturën e tij për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Biden duket i vendosur për ta vijuar garën pavarësisht shqetësimeve që janë shtuar pas debatit të parë me Donald Trump rreth shëndetit të tij mendor dhe mundësisë për ta mbajtur fushatën gjallë.
“Dua që ta dini se pavarësisht të gjitha spekulimeve në shtyp, jam shumë i përkushtuar për të qëndruar në këtë garë dhe për ta drejtuar këtë garë deri në fund, dhe për ta mundur Donald Trump.”
Kjo është një pjesë e asaj që, sipas CNN, Biden ka shkruar në letrën e drejtuar kongresmenëve.
Në letrën e tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë kërkon që vëmendja të hiqet nga pikëpyetjet rreth kapacitetit të tij për ta çuar përpara, dhe të zhvendoset te synimi për të mposhtur Donald Trump.
“Pyetja sesi do të vijojmë përpara është diskutuar për më shumë se një javë tashmë. Dhe, është koha që t’i japim fund. Kemi vetëm një detyrë dhe ajo është që të mundim Donald Trump...Çdo dobësim i vendosmërisë ose mungesës së qartësisë për detyrën përpara vetëm e ndihmon Trumpin dhe na dëmton neve."
“Është koha të bëhemi bashkë dhe të ecim përpara si një parti e bashkuar e të mundim Donald Trump,” përfundoi Biden. (A2 Televizion)