Netanyahu kërcënon huthit, BE e shqetësuar për planin e Izraelit për Rripin e Gazës

Nga A2 CNN
5 Maj 2025, 17:02 | Bota

Bashkimi Evropian ka reaguar me shqetësim ndaj planit të qeverisë izraelite për të “pushtuar” Rripin e Gazës dhe ka bërë thirrje për “përmbajtje maksimale”.

"Bashkimi Evropian është i shqetësuar për zgjerimin e planifikuar të operacionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës, i cili do të çojë në viktima dhe vuajtje të reja për popullsinë palestineze", tha të hënën zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni. 

Qeveria izraelite planifikon të marrë kontrollin dhe të pushtojë përgjithmonë Rripin e Gazës. Sipas burimeve qeveritare izraelite, një plan i miratuar së fundmi nga kabineti i sigurisë izraelite parashikon “pushtimin” e territorit palestinez dhe “mbajtjen” e territoreve të pushtuara, citon Reuters.

Shefi i ushtrisë izraelite, Ejal Samir, njoftoi më herët një zgjerim të operacionit ushtarak kundër Hamasit radikal islamist në Rripin e Gazës dhe rekrutimin e dhjetëra mijëra civilëve. Ai përsëriti thirrjen që linjat ajrore ndërkombëtare të anulojnë “të gjitha fluturimet e planifikuara” drejt aeroporteve izraelite për të mbrojtur avionët dhe personelin e tyre. 

Sakaq, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë një reagim të ashpër në platformën sociale X ndaj rebelëve të Huthi të cilët sulmuan aeroportin e Tel-Avivit. "Sulmet e Huthive burojnë nga Irani. Izraeli do t'i përgjigjet sulmit të tyre në aeroportin tonë kryesor dhe në një kohë dhe vend që ne do të zgjedhim kundër padronëve të tyre iranianë të terrorit”, tha Netanyahu në X. 

Sipas burimeve izraelite, 24 pengje dhe trupat e 35 të rrëmbyerve janë ende në duart e Hamasit. Ish-pengjet raportojnë kushte çnjerëzore. Presidenti amerikan Trump deklaroi së fundmi se numri i të mbijetuarve mund të jetë më i ulët nga sa mendohej më parë.

Milicia Huthi në Jemen po kërcënon të ndërpresë më tej trafikun ajror drejt Izraelit pas sulmit me raketa pranë aeroportit të Tel Avivit.

Zëdhënësi ushtarak i rebelëve Huthi, Jahja Sari, foli të dielën vonë në mbrëmje për një "bllokadë gjithëpërfshirëse ajrore" të Izraelit. Objektivi kryesor është Aeroporti Ndërkombëtar Ben Gurion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos