Dhjetëra mijëra rezervistë të thirrur, Izraeli miraton planin për të pushtuar Rripin e Gazës

Nga Erjon Dervishi
5 Maj 2025, 15:21 | Bota

Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar vendimin për të zgjeruar operacionet ushtarake në Gaza dhe për të krijuar një kornizë të re për ofrimin e ndihmës. Kështu bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.  Votimi erdhi disa orë pasi ushtria tha se do të mobilizonte dhjetëra mijëra rezervistë, duke forcuar kapacitetin e saj për të vepruar në territorin e rrethuar palestinez.

Një zyrtar izraelit tha se plani i ri për luftën e Izraelit në Gaza përfshin "pushtimin e territorit dhe qëndrimin atje". Ushtria izraelite do të zhvendosë popullsinë palestineze në Gazën jugore, ndërsa do të kryejë "sulme të fuqishme" kundër Hamasit, tha zyrtari izraelit, citon CNN.

Mbi 2400 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga mesi i marsit, kur Izraeli nisi një valë sulmesh vdekjeprurëse, duke shkatërruar një armëpushim që kishte qenë në fuqi për gati dy muaj. Më shumë se 52000 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë.

Zgjerimi i luftimeve do të jetë gradual për të dhënë një shans për një armëpushim të rinovuar dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve para vizitës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump në rajon në mesin e majit, thanë zyrtarët. Trump ka planifikuar të vizitojë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin javën e ardhshme, por aktualisht nuk ka ndonjë ndalesë të planifikuar në Izrael.

Kabineti diskutoi gjithashtu lejimin e rifillimit të shpërndarjes së ndihmave në Gaza sipas një kuadri të ri i cili u miratua, por ende nuk është zbatuar, thekson CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos