“Masat e sigurisë dështuan të parandalonin një grabitje të madhe në Muzeun e Luvrit në Paris, të dielën, duke krijuar një imazh shumë negativ për vendin”.
Kështu u shpreh ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, një ditë pas vjedhjes spektakolare e të denjë për skenar filmash në muzeun më të vizituar të botës dhe një prej atraksioneve kryesore të Francës.
Një grup hajdutësh arritën të hynin përmes një vinçi mallrash brenda muzeut në mes të ditës, duke vjedhur xhevahire me vlerë të paçmuar, para se të arratiseshin me motor. Ezksiton frika se nëse plaçkitësit nuk kapen me shpejtësi, objektet që i përkasin kurorës franceze, përfshirë një varëse me diamantë dhe smeralt që Perandori Napoleon ia dha bashkëshortes së tij, do të copëtohen e trafikohen jashtë vendit.
Ministri i Drejtësisë u shpreh i sigurt që policia do të mund të arrestojë hajdutët, por kreu i një organizate të specializuar në lokalizimin dhe rekuperimin e veprave të vjedhura të artit thotë se nëse nuk kapen 24 deri në 48 orët në vijim, stolitë mund të konsiderohen të humbura.
Luvri njoftoi se do të qëndrojë i mbyllur të hënën për arsye të jashtëzakonshme. Një varëse e një palë vëthë të Maria Luizës ishin mes 8 objekteve të vjedhura, e po ashtu një kurorë e mbajtur nga perandoresha Evgjeni, bashkëshorte e Napoleonit të Tretë.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se ishte i vetëdijshëm për mangësitë në sigurinë e muzeut në zemër të Parisit.
Mediat franceze shkruajnë se një raport paraprak ende i papublikur pretendon se 1/3 e dhomave në kahun ku ndodhi grabitja nuk kishin kamera survejimi. Presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi vjedhjen si sulm ndaj trashëgimisë dhe historisë franceze. (A2 Televizion)