Sirena sulmesh në Kiev, Zelensky para takimit me Trump: Qëllimi, paqja e qëndrueshme për Ukrainën dhe Evropën

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 19:08 | Bota

Sirena sulmesh në Kiev, Zelensky para takimit me Trump: Qëllimi, paqja

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se qëllimi i takimit të së hënës me presidentin e SHBA-së Donald Trump është një “paqe e besueshme dhe e qëndrueshme” për vendin e tij dhe të gjithë Evropën.

Pak para takimit me presidentin Trump, ai tha në X se SHBA-ja, Evropa dhe të tjerët duhet të ushtrojnë presion mbi presidentin e Rusisë. Sipas tij askush nuk duhet të presë që Vladimir Putin të heqë dorë vullnetarisht nga agresioni dhe përpjekjet e reja për pushtim.

“Qëllimi ynë kryesor është një paqe e besueshme dhe e qëndrueshme për Ukrainën dhe për të gjithë Evropën. Dhe është e rëndësishme që vrulli i të gjitha takimeve tona të çojë pikërisht në këtë rezultat. Ne e kuptojmë se nuk duhet të presim që Putini të braktisë vullnetarisht agresionin dhe përpjekjet e reja për pushtim. Kjo është arsyeja pse presioni duhet të funksionojë, dhe duhet të jetë presion i përbashkët - nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, dhe nga të gjithë në botë që respektojnë të drejtën për jetë dhe rendin ndërkombëtar”, u shpreh Zelensky.

Zelensky shtoi se ai dhe aleatët evropianë kanë koordinuar qëndrimet e tyre përpara takimit me Trump.

“Ne duhet t'i ndalojmë vrasjet, dhe i falënderoj partnerët tanë që po punojnë drejt kësaj dhe në fund të fundit drejt një paqeje të besueshme dhe dinjitoze. Së bashku me udhëheqësit e Finlandës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Komisionit Evropian dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ne koordinuam qëndrimet tona përpara takimit me Presidentin Trump. Ukraina është gati për një armëpushim të vërtetë dhe për krijimin e një arkitekture të re sigurie. Ne kemi nevojë për paqe”, theksoi ai.

Ndërkohë sirena sulmesh ajrore janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ndërsa liderët evropianë mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos