Situata në Gaza, Biden: Kemi një marrëveshje në parim mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim

Nga A2 CNN
12 Korrik 2024, 19:05 | Bota

Situata në Gaza, Biden: Kemi një marrëveshje në parim mes

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden , në një postim në platformën “X” ka përmendur një marrëveshje në parim mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e armëpushimit në Gaza.

Siç shprehet vetë Biden, 6 javë më parë, ai ka paraqitur një “kornizë gjithëpërfshirëse” për mënyrën sesi mund të arrihet një armëpushim dhe si mund të kthehen pengjet.

“Ka ende punë për të bërë dhe këto janë çështje komplekse, por për këtë kornizë tani është rënë dakord nga Izraeli dhe Hamasi,” shton më tej në postimin e tij kreu i Shtëpisë së Bardhë.

“Ekipi im po bën përparim dhe unë jam i vendosur për ta çuar këtë proces përpara.”

Kujtojmë këtu se në maj, presidenti amerikan theksoi gjatë një fjalimi se kishte në dorë planin e armëpushimit  në Gaza, i propozuar nga Izraeli dhe që do të zbatohet në tre faza.

Faza e parë përfshin një armëpushim "të plotë dhe total" dhe tërheqjen e ushtarëve të IDF nga të gjitha zonat e banuara në Gaza.

Gjithashtu është planifikuar lirimi i disa prej pengjeve të mbetura (gratë, të moshuar, të plagosur) dhe shkëmbimi i tyre me të burgosur palestinezë. 600 kamionë me ndihma humanitare do të hyjnë çdo ditë në Rripin e Gazës , me shpërndarjen e saj të lehtësuar nga armëpushimi. Banorët palestinezë të Rripit do të kthehen në shtëpitë e tyre.

Procesi do të zgjasë gjashtë javë me mundësi të zgjatjes nëse është e nevojshme. Biden pranoi se midis fazës së parë dhe të dytë, do të nevojiten bisedime të vështira.

Faza e dytë kërkon "ndërprerje të përhershme të armiqësive" dhe lirimin e pengjeve të mbetura, përfshirë ushtarët e mbajtur nga Hamasi. Kjo do të thotë një fund i përhershëm i armiqësive.

Së fundi, faza e tretë do të përfshijë restaurimin e Rripit të Gazës. Pasi të arrihet, kjo fazë do të përfshijë gjithashtu kthimin e eshtrave të pengjeve që vdiqën në duart e Hamasit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos