Skandal korrupsioni në Ukrainë

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2025, 08:12 | Bota

Skandal korrupsioni në Ukrainë

Skandali i korrupsionit në Ukrainë po zgjerohet: Ministri i Drejtësisë, Herman Halushçenko, dhe Ministrja e Energjisë, Svitlana Hrynçuk, dhanë dorëheqjen me kërkesë të Presidentit Volodymir Zelenski. Kërkesa e Zelenskit erdhi pas njoftimeve të Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) lidhur me një skemë pastrimi parash në shkallë të gjerë në sektorët e energjisë dhe të mbrojtjes. Të dy ministrat i mohuan akuzat kundër tyre.

Oleksandr Abakumov, drejtuesi i ekipit përkatës hetimor, deklaroi se gjatë hetimeve, janë bërë mijëra orë regjistrime audio, të cilat ofrojnë prova kundër një grupi kriminal të rangut të lartë që vepronte në sektorët e energjisë dhe të mbrojtjes. Deri tani janë arrestuar pesë të dyshuar, nga shtatë vetë që dyshohet se i përkasin grupit kriminal.

Si funksiononte sistemi i korruptuar?

Sipas hetimeve anëtarët e grupit kriminal kërkonin nga kontraktorët e kompanisë energjetike "Energoatom" që është furnizuesi më i madh i energjisë në Ukrainë, ryshfete që arrinin në 10 deri në 15 përqind të vlerave të kontratave.

"Faktikisht ishte krijuar një sistem në të cilin një kompani strategjike me një xhiro prej mbi 200 miliardë hryvnia (rreth 4 miliardë euro) nuk menaxhohej nga drejtuesit e lartë, bordi mbikëqyrës ose shteti si pronar, por nga një person i jashtëm i cili, pa autorizim, kishte marrë rolin e një menaxheri bedel", deklaroi NABU në një njoftim për shtyp.

Roli i veçantë i "Karlsonit"

Sipas Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) një person me pseudonimin "Karlson" kontrollonte të ashtuquajturën "lavanderi", nëpërmjet së cilës paratë e fituara nëpërmjet aktiviteteve kriminalehidheshin për t'u pastuar në rrjetin legal financiar dhe ekonomik.

Deputeti Jaroslav Zhelezniak i grupit parlamentar "Holos" (Zëri) thotë se "Karlsoni" që shfaqet në përgjimet e NABU-së është biznesmeni Timur Mindikh. Sipas mediave ukrainase NABU bastisi më 10 nëntor edhe shtëpinë e Mindikh.

Mindikh konsiderohet një bashkëpunëtor i ngushtë dhe njeri i besuar i Presidentit Volodymir Zelenski. Ai është, ndër të tjera, bashkëpronar i kompanisë televizive "Kvartal-95", bashkëthemelues i së cilës ka qenë edhe Zelenski. Sipas një burimi të "Ukrainska Pravda", Mindikh u largua nga Ukraina vetëm disa orë para bastisjeve.

Thirrje për dënime dhe ndëshkime

Presidenti ukrainas Volodymir Zelenski kërkoi që skandali të hetohet dhe ata që janë përgjegjës të dalin përpara drejtësisë.

Kryeministrja Yulia Zvyrydenko riafirmoi gatishmërinë e saj për të mbështetur autoritetet e antikorrupsionit në hetimet e tyre. Në një intervistë për TV Suspilne ajo tha: "Luftimi i korrupsionit është një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Duhet të ketë dënime dhe ndëshkime pa kusht për të gjitha krimet". Sipas saj qeveria ka pezulluar kompetencat e bordit mbikëqyrës të Energoatom-it dhe ka urdhëruar një audit të menjëhershëm të kompanisë, veçanërisht të praktikave të saj të prokurimit. DW

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos