Marrëveshja Putin-Trump, analistët: Dëmton reputacionin e Shteteve të Bashkuara

Nga Eno Luarasi
11 Tetor 2026, 14:16 | Bota

Marrëveshje mes Donald Trump dhe Vladimir Putin që do i lejonte Rusisë të furnizonte tregun ndërkombëtar me naftë do të ishte një gabim shumë i madh si në rrafshin politik por dhe ekonomik.

Kështu shprehet ish-ambasadori amerikan në Gjeorgji Ian Kelli. Sipas tij çmimi i naftës që përdoret për bujqësi dhe ngrohje janë pranë rekordit dhe një rrezik për republikanët e Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Nuk do të arrijë atë që ai synon të realizojë. Sasitë për të cilat po flasin, para së gjithash, janë aktualisht vetëm hipotetike. Nuk jam i sigurt nëse rusët mund të reagojnë kaq shpejt. Prandaj, kjo nuk do të sjellë rezultatin që ai dëshiron, pra uljen e çmimeve të karburantit në pikat e furnizimit në një periudhë afatshkurtër, veçanërisht përpara zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.”

Të ardhurat që Rusia fiton nga eksporti i naftës nuk do të jenë të mjaftueshme për të zgjidhur problemet ekonomike sipas Kelli por do ti japin një shtysë politikisht Putin ndërsa për SHBA do të jetë një goditje në reputacion.

“Mendoj se evropianët tashmë nuk i konsiderojnë më Shtetet e Bashkuara si një partner ku mund të mbështeten në përpjekjet e tyre për të ruajtur presionin ndaj Rusisë. Por kjo është një tjetër goditje për reputacionin tonë si një vend që udhëheq botën e lirë, që i kundërvihet agresionit dhe që vendos sanksione e masa ndëshkuese ndaj shteteve që kryejnë krime lufte. Prandaj, në planin afatgjatë, kjo i shkakton një dëm të madh reputacionit të Shteteve të Bashkuara, një dëm që do të kërkojë shumë përpjekje dhe kohë për t’u riparuar.”

Sipas marrëveshjes të arritur mes Trump dhe Putin Rusia do të furnizonte menjëherë tregun amerikan dhe atë botëror me më shumë se 300 mijë tonë naftë diesel, ekuivalente me rreth 2.25 milionë fuçi karburant.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos