Një nga ushtarakët më të dekoruar të ushtrisë ruse ka rezultuar të jetë pjesë e një mashtrimi të përmasave të mëdha. Hetuesit rusë kanë zbuluar se kolonel-lejtnant Konstantin Frolov, i njohur me nofkën “Xhelati” për aftësitë e tij si snajper, ka urdhëruar trupat e tij të qëllonin qëllimisht mbi të dhe mbi njëri-tjetrin për të përfituar kompensime financiare dhe medalje nderi, përcjell A2 CNN.
Sipas raportimit të gazetës Kommersant, Frolov dhe 35 ushtarë të Brigadës së 83-të Ajrore të Sulmit arritën të përfitonin rreth 2,5 milionë dollarë nga buxheti i Kremlinit, duke inskenuar plagosje gjatë luftës në Ukrainë.
Frolov, 39 vjeç, ishte kthyer në një figurë të njohur përmes mediave shtetërore, duke rrëfyer histori për akte heroike dhe plagosje të shumta në front. Në një video të Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2024, ai deklaronte: “Që fëmijë, detyra dhe nderi nuk kanë qenë kurrë fjalë boshe për mua. Unë gjithmonë kam dashur të jem ushtarak, dhe u bëra një i tillë”.
Madje, ai kishte pretenduar se kishte shpëtuar dhe birësuar një vajzë të plagosur nga bombardimet ukrainase, një histori që hetimet e fundit e cilësuan plotësisht të pavërtetë.
Raportimet e rreme për plagosjet u përdorën si bazë për t’i akorduar Frolovit disa medalje për trimëri dhe guxim. Por pas një denoncimi në qershor të vitit të kaluar, autoritetet nisën një hetim të gjerë që zbardhi mashtrimin, shkruan A2 CNN.
Gjatë hetimeve, Frolov pranoi se kishte kërkuar nga ushtarët e tij të qëllonin mbi të, duke shmangur organet jetike, në mënyrë që të dukej se ishte plagosur në beteja reale. Ai madje denoncoi bashkëpunëtorët e tij për të përfituar një marrëveshje me prokurorinë.
Kremlini refuzoi kërkesën e tij për t’u rikthyer në front, ndërsa Frolov tani përballet me akuza për mashtrim në shkallë të gjerë, ryshfet, si dhe trafikim të paligjshëm armësh dhe pajisjesh shpërthyese. (A2 Televizion)