S’pati ujdi, shpërthejnë bombat", Donald Trump kërcënon, Irani: Po shqyrtojmë pjesëmarrjen në bisedime

Nga Erjon Dervishi
20 Prill 2026, 19:22 | Bota

E paqartë dhe kaotike mbetet situata lidhur me bisedimet e mundshme SHBA–Iran dhe fatin e luftës në Lindjen e Mesme. Irani përgënjeshtroi fillimisht pretendimet e Uashingtonit për bisedime në Pakistan, duke thënë se SHBA nuk kishte treguar seriozitet dhe se nuk kishte plane për një raund të dytë negociatash.

Por më vonë, zyrtarë të lartë në Teheran, të cituar nga Reuters, thanë se po shqyrtonin pjesëmarrjen në bisedime, pas përpjekjeve të Islamabadit për t’i dhënë fund bllokadës në portet iraniane, një pengesë e madhe për tryezën e paqes.

Teksa armëpushimi dyjavor është drejt skadimit, një zyrtar i lartë iranian tha se Teherani po e shqyrton pozitivisht pjesëmarrjen, por se vendimi final ende nuk është marrë. Këto komente shënojnë një ndryshim të rëndësishëm të tonit nga deklaratat e mëparshme, ku Republika Islamike zotoheshe për hakmarrje pas sulmit dhe konfiskimit të një anijeje iraniane që kishte thyer bllokadën.

Për agjencinë e lajmeve Bloomberg, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se zëvendëspresidenti JD Vance do të udhëtojë në Pakistan për të marrë pjesë në bisedime me Iranin, të cilat, sipas tij, pritet të nisin të martën.

“Nëse nuk do të ketë ujdi, e pres”, tha Trump, duke theksuar se nuk ka ndërmend të nxitojë, edhe pse armëpushimi skadon të mërkurën. Ai përsëriti se nuk do të heqë bllokadën amerikane në Hormuz deri në arritjen e një marrëveshjeje.

“Duan që të heqim bllokadën. Duan dëshpërimisht që ta heqim, por unë nuk do ta bëj deri sa të firmoset një marrëveshje”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në një intervistë për PBS, kreu i Shtëpisë së Bardhë ashpërsoi sërish retorikën, duke paralajmëruar se nëse armëpushimi skadon pa një marrëveshje, “shumë bomba do të fillojnë të shpërthejnë”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane deklaroi këtë të hënë se SHBA po këmbëngul në qëndrime jo realiste dhe të paarsyeshme. Ndërsa një burim i lartë iranian theksoi për Reuters se kapacitetet mbrojtëse të Iranit, përfshirë programin balistik, nuk janë të hapura për negociata.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos