
Prokurorët holandezë njoftuan të premten se tre burra janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në një sulm antisemit ndaj një sinagoge ose për ndihmë në përgatitjen e një sulmi të ngjashëm.
Dy shtetas holandezë, të moshës 20 dhe 23 vjeç, janë arrestuar për rolin e tyre të dyshuar në sulmin ndaj një sinagoge në Roterdam më 13 mars, sipas prokurorisë. Me këto arrestime, numri i të dyshuarve të ndaluar për këtë sulm ka shkuar në shtatë.
Një tjetër 18 vjeçar është arrestuar për përfshirje të dyshuar në përgatitjen e një sulmi ndaj një sinagoge në qytetin Heemstede.
Policia kishte arrestuar javën e kaluar edhe dy të mitur, për të cilët thuhet se po planifikonin të shkaktonin një shpërthim në një sinagogë në këtë qytet, rreth 25 kilometra në perëndim të Amsterdamit.
(A2 Televizion)