Peruja ka mbyllur 88 nga 122 portet e saj për shkak të një stuhie të fortë që goditi bregdetin e saj, e shkaktuar nga erërat e forta të lidhura me një sistem me presion të lartë në Paqësorin Jugor.
Autoritetet detare njoftuan lajmin, duke specifikuar se kanë pezulluar të gjitha aktivitetet detare, të peshkimit dhe ato rekreative, shkruan A2 CNN.
Mbyllja e terminaleve detare mund të zgjatet në varësi të ashpërsisë së fenomenit, i cili pritet të zgjasë deri në mesin e javës së ardhshme.
Fenomeni shkaktoi gjithashtu një rënie të temperaturave dhe stuhi rëre në Pisco dhe Paracas, në bregdetin qendror të Perusë, ku erërat arritën në 63 kilometra në orë, raportoi Shërbimi Kombëtar Meteorologjik.
Era e Paqësorit Jugor është një stuhi e fortë dhe e vazhdueshme që buron nga brigjet e Perusë dhe Kilit verior, duke krijuar presion të lartë atmosferik për shkak të një mase ajri të ftohtë, të qëndrueshme dhe të thatë, shpjegoi Shërbimi Meteorologjik. Midis fundit të vitit 2024 dhe janarit 2025, disa zona bregdetare të Perusë dhe Kilit u goditën nga valë shumë të forta. (A2 Televizion)